Bujanoc:  Pushteti i Shaip Kamberit –  një histori suksesi

27.06.2018 10:52:04

 

Të rrallë janë ata politikanë lokalë dhe rajonalë, në Luginë të Preshevës, të cilët gjatë karrierës së tyre institucionale, të mos bien në kurthin e aferave të ndryshme për korrupsion, nepotizëm, keqmenaxhim, javashllëk etj.

Nga: Sevdail Hyseni

Më të paktë janë ata politikanë nga kjo Luginë, të cilët kanë arritur t’i ikin këtyre barrierave, falë shkathtësisë politike, për të notuar në ujërat plot dallgë të pushtetit lokal e qendror në Serbi.

E ky politikan shqiptar nga Lugina e Preshevës, është Shaip Kamberi, aktualisht kryetar komune në Bujanoc, ish deputet popullor në Kuvendin Republikan të Serbisë, dikur edhe veprimtar për të drejtat e njeriut, si dhe ushtrues i misionit të gazetarit.

Pushteti politik i Shaip Kamberit, është një histori suksesi, qoftë në nivelin e pushtetit vendor, qoftë edhe të atij qendror. Në periudhën e mandateve të qeverisjes lokale në Bujanoc, zoti Kamberi, reflektoi një kulturë të vërtetë politike, duke shtrirë pushtetin sa më afër qytetarit dhe krijuar ambient të volitshëm për investime në këtë komunë shumetnike, me një prapambeturi ekonomike të trashëguar prej vitesh.

Qasja pragmatike

Pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ i Komunës së Bujanocit, shquhen për stabilitet dhe efikasitet, duke i falënderuar politikës parimore të kryetarit të saj Shaip Kamberi dhe qasjes pragmatike të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Nuk mbahet mend, në periudhën 16 vjeçare të pushtetit shumetnik në Bujanoc, të jetë krijuar ndonjë krizë institucionale në parlamentin lokal dhe për rrjedhojë të ketë ardhur deri te shpartallimi i organit më të lartë të pushtetit vendor, ashtu siç ka ngjarë në komunat e tjera të Luginës së Preshevës.

Shembulli i një qeverisjeje të tillë, të bazuar në profesionalizmin e administratës, tregon qëndrueshmërinë e politikave pragmatike, falë këtyre reformave, të cilave u prinë kryetari i saj Shaip Kamberi. Por, këtyre përparimeve u rrinë karshi pengesat e natyrës politike dhe ekonomike, të cilat i vijnë nga niveli qendror i pushtetit të Beogradit dhe opozita jononstruktive siç janë: moszgjidhja e problemeve në fushën e arsimit, nostrifikimi i diplomave, moszbatimi në praktikë i dygjuhësisë dhe rregullimi me ligj i simboleve kombëtare, shlyerja nga evidence e gjendjes civile të banorëve të zonave kufitare, kthimi i të të zhvendosurve etj.

Pavarësisht këtyre pengesave, pushteti lokal i Shaip Kamberit, po gjen mënyra dhe forma për ta bërë Komunën e Bujanocit, njërën nga komunat më atraktive, në rajonin e Luginës së Preshevës, duke joshur donatorët ndërkombëtarë dhe fondet komunale për subvencionet në bujqësi, për bizneset e vogla, zhvillimin e infrastrukturës, si dhe projekte të tjera në sferën e veprimtarive të ndryshme shoqërore.

Niveli i kompetencave

Sa do që kompetencat e komunave me shumicë shqiptare në Serbi, përballen me kufizime të natyrës politike, për shkak mungesës së decentralizimit, pushteti komunal i Shaip Kamberit, bënë të pamundurën, në mënyrë që shumë kërkesa të qytetarëve, të zgjidhen brenda qeverisjes lokale, e jo të barten në nivelin qendror të pushtetit.

Format e diskriminimit sistematik të Beogradit, ndaj pushteteve, të cilat udhëhiqen nga shqiptarët, nuk kanë mbarim. Ato vazhdojnë me të njëjtin stil, si dikur duke krijuar situata të pashpresa te rinia për shkollim, punësim dhe integrim.

Serbia e sotme e Vuçiqit, si ajo e djeshme e Milosheviqit, nuk është liruar akoma nga sindromi i urrejtjes dhe hakmarrjes ndaj shqiptarëve, të cilët në shtetin e tij, akoma i llogarit si element turbullues, të rrezikshëm dhe jo të sigurt për integrimin në organet lokale dhe qendrore.

Përkushtimet institucionale për një qeverisje të mirë, natyrisht se kalojnë nëpër dyert e administratës publike, e cila duhet të jetë racionale, legale, funksionale dhe transparente.

Mirëpo, Beogradit nuk i shkon përshtati të ketë një komunë të suksesshme si Bujanoci, por ajo dëshiron të krijoj probleme artificiale si në Preshevë dhe Medvegjë, për të pasur bllokim institucional, përçarje e mjerim politik.

Duke zhvilluar një politikë perfide të varfërimit të Luginës, shkatërrimit ekonomik, mbylljes së perspektivave për integrim, Serbia po krijon gjendje të pashpresë për shqiptarët edhe pse me Kushtetutën e saj, garanton të drejtën e pakicave në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore.

Rivaliteti politik

Nuk ka pushtet politik, si ky i Shaip Kamberit, në të cilin opozita ndihet me komoditet, mundohet të bllokoj punën e parlamentit lokal, kritikon qeverisjen komunale, shan e shpif në llogari të saj  dhe merr paga e mbanë poste në nivel lokal dhe qendror.

Pushteti i Shaip Kamberit, nuk është si ai i pararendësve të tij, të revanshohen ndaj kuadrove të rivalëve partiakë, duke i nxjerr në gjyq, duke i përjashtuar nga puna, si dhe duke i përbuzur dhe injoruar deri në ekstremitet.

Ndoshta këto veprime të matura e të pjekura politike, një funksionari si zoti Kamberi, ka bërë që, ai, të kursehet nganjëherë edhe nga armiqtë më të egër të skenës politike në vend dhe rajon. Ndonëse, ai e di fare mirë se ndershmëria dhe sinqeriteti në politikë kuptohen si naivitet, por stili i jetës së tij është i tillë: të punojë dhe veproj drejt dhe papërkulur. Pikërisht, kjo ndjesi e bënë atë më madhështor, më ta pranueshëm për dialog  dhe më të qëndrueshëm në rrugëtimin e sukseseve të mëtejme.

Rivaliteti politik, nuk paraqet ndonjë pengesë serioze në pushtetin e zotit Kamberit, ngase, ai, koalicionin qeverisës e ndërton mbi baza të shëndosha me partnerë strategjikë, me të cilët krijon një ambient të volitshëm në vendimmarrje për realizimin e kërkesave të qytetarëve për një jetë më të mirë.

Shaip Kamberi, është një “tribler” i mirë në fushën politike, ashtu si një lojtar i shkathët në fushën sportive, duke sjell vërdallë ata që dëshirojnë t’ia marrin topin. Asnjëherë nuk e kanë parë e dëgjuar të jetë lëshuar në komentime paushalle rreth vlerësimeve për punën e tij, qoftë në lëvdata e qoftë në kritika. Ai hesht dhe me heshtjen e tij të artë veprime, i tejkalon të gjitha barrierat politike që i dalin përpara.

Përkushtimet politike

Lugina e Preshevës, duhet të ndjek shembullin e qeverisjes së mirë lokale të Bujanocit, për stabilitet dhe efikasitet, pavarësisht pengesave politike dhe ekonomike, që i dalin përpara.

Në këtë mision me koncept të qartë politik zoti Kamberi, po ecën me hapa të sigurt të një politikani modern e një zyrtari të formuar, duke u angazhuar në vazhdimësi për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, me rrugë institucionale, në saje të aftësisë së tij pushtetare, kompetencave dhe autoritetit.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, është një politikan, i cili është kalitur, duke kaluar nëpër periudha të ndryshme të veprimtarisë, duke ngritur dhe promovuar vlerat e një politike të qëndrueshme, konstruktive dhe afatgjate.

Shaip Kamberi, në një moshë prej 54 vjetësh, me një përvojë 28 vjeçare në politikë, është një nga figurat më të çmuara në kryesinë e Partisë për Veprim Demokratik dhe një nga emrat më të respektuar në Luginën e Preshevës.

Përvoja jetësore

Nuk thuhet kot se çelësi i sukseseve është përvoja jetësore. Të udhëheqësh pushtet komunal në Serbi, duke llogaritur presionet nga lart të pushtetit qendror dhe nga poshtë instruksionet e opozitës, është një punë si të themi e Sizifit.

Nga ana tjetër të jesh pjesëmarrës aktiv nëpër të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi si: Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, pastaj konfliktet e armatosura 1999-2001, pjesëmarrës i negociatave paqësore, anëtar i grupeve punues për hartimin e Platformës politike të këshilltarëve shqiptarë 2006, është një punë që të presin sfida dhe sakrifica njëkohësisht.

Për deri sa për disa partnerë partiakë, politika është jo vetëm arti i së mundurës, por edhe i realizimit të qëllimeve të caktuara personale, privilegjeve e përfitimeve materiale, për Shaip Kamberin, partia PVD dhe institucioni – Komuna,  janë mision publik për të përmirësuar jetën e qytetarëve, zhvillimin e mirëqenies shoqërore, në rrafshin lokal dhe në atë rajonal.

Ky, pra, është pushteti politik i Shaip Kamberit, një histori suksesi , i cili po jep rezultate konkrete, në saje të bashkëpunimit të sinqertë, korrekt dhe progresiv me bashkë-partiakët dhe partnerët e koalicionit qeverisës . Në këtë rrugëtim politik, nuk e ka të vështirë, të grumbulloj rreth vetes bashkëmendimtarë, duke mos përjashtuar edhe të rinjtë, të cilët te ky politikan shohin vizionin e qartë për tejkalimin e ngërçit politik e kolapsit ekonomik, të cilat prej vitesh e kanë mbërthyer Luginën e Preshevës.