Bujanoc: Viti i Skënderbeut dhe takimet jubilare të vendlindjes së Pribocit 

25.07.2018 12:00:26

Nga Sevdail Hyseni

E diela e 22 korrikut për Pribocin dhe pribocasit, nuk ishte vetëm një ditë e zakonshme vikendi, por një festë e dyfishtë: kremtimi i takimeve jubilare të vendlindjes dhe shënimi i Vitit të Skënderbeut, përvjetori i 550- të i vdekjes së heroit legjendar të shqiptarëve.

10 vjet të Takimeve të Vendlindjes “Priboci 2009-2018”, paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin, afirmimin dhe promovimin e kujtesës së banorëve të këtij vendbanimi të lashtë Dardan, përkatësisht të Hashanisë dhe Malësisë së Bujanocit, të cilët për çdo vjet, mblidhen në fshatin e tyre të lindjes, për tu çmallur me vatrat e tyre stërgjyshore.

“Vendi i caktuar për mbajtjen e takimit, me gjelbërimin veror të fshatit ishte hijeshuar e zbukuruar nga stolisja me 10 flamuj kombëtar në shenjë të dhjetë herë mbajtje të takimit të vendlindjes, sikurse dhe për nder të përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut”, u shpreh Ismet Tafili, njëri nga organizatorët kryesorë të takimeve të vendlindjes së Pribosit.

Ismet Tafili, gjithashtu, në fjalimin e tij paraqiti në mënyrë kronologjike organizimin e takimeve të vendlindjes, që nga viti 2009 e deri më tani, si dhe punën e Këshillit të Fshatit, gjatë këtyre viteve, duke përmendur të mirat e këtyre manifestimeve tradicionale.

E para, ndër më të rëndësishmet e këtyre takimeve të vendlindjes, thekson Ismet Tafili, ka bërë që të ruhet bërthama e banorëve në fshat, si dhe “sa do pak ka ndikuar që disa familje të mendojnë të kthehen, si Rexhep Hajdini, Nevzad Abdullahu, Zulfi e Latush Krasniqi, sikurse edhe Dervish Dervishi i cili veç ka bërë renovime të shtëpisë. Kthimi i këtyre familjeve dhe qëndrimi i përhershëm i Hafiz Musliut dhe Hamdi Krasniqit, ka bërë që ky fshat të frymojë shqip”.

Për rolin dhe rëndësinë e këtyre takimeve jubilar folën e dhe kryetari i Këshillit të Fshatit Priboc, Muzafer Fazliu dhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Zarbicës, që është nga Priboci Avni Musliu.

Me siç mësohet, jehona e këtyre takimeve dhjetëvjeçare, ka bërë që në këto manifestime të vijnë kësaj radhe edhe bashkëvendës nga Maqedonia, përkatësisht nga Llopati, si dhe në vazhdimësi pribocasit nga Kosova e diaspora, duke sjell me vete kujtimet më të dashura për vendlindjen e tyre. Nëpër këto takime nuk ka munguar edhe prania e mysafirëve special nga vendbanimet tjera, duke veçuar Shaban Bajramin, fotoreporterin e mrekullueshëm, i cili sjell për publikun tonë foto me pamje nga takimet e vendlindjes së Pribocit ndër vite.

Takimet e vendlindjes së Pribocit i karakterizon edhe muzika me këngë e valle popullore, recitimet, pastaj lojërat sportive dhe për fund edhe gostitja me ushqime tradicionale pribocase.