Bujar Nishani: Shqipëria krah Turqisë në luftën kundër terrorizmit

22.12.2016 16:47:07

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në Turqi i ka shprehur homologut Erdogan gatishmërinë e Shqipërisë për të luftuar terrorizmin krah shtetit turk dhe shteteve të tjera aleate.

“Shqipëria është e gatshme të kontribuojë me vendosmëri dhe me të gjitha mundësitë e saj krah Turqisë dhe vendeve të tjera aleate në luftën kundër terrorizmit”, tha Nishani.

Zyra e shtypit të Presidentit tha se Nishani i shprehu edhe njëherë gjatë takimit keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e atentateve të fundit terroriste në Stamboll dhe qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, në krah të Turqisë, në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tjerë, duke iu referuar edhe dënimit nga autoritetet shqiptare të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të këtij viti.

Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu ngushëllimet edhe për vrasjen e Ambasadorit të Federatës Ruse në Turqi, duke e dënuar me forcë dhe konsideruar si burracak këtë akt.

Ndërsa në takimin me Kryeministrin Yildirim, Presidenti Nishani u fokusua kryesisht tek mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, realizimit së shpejti të Komisionit të Përbashkët në këtë fushë, si dhe shfrytëzimit sa më të mirë të mundësive për investime turke në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe fusha të tjera.