Bulliqi: Nuk merrem me Gecajn që nuk e di se në emër të kujt flet e që nuk i takon strukturave të LDK-së

16.09.2016 18:21:54

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deputeti Shpejtim Bulliqi mund të vazhdojë të jetë në një LDK imagjinare të sajuar në kokën e tij, por jo në “LDK-në rugoviane që angazhohet, nuk dorëzohet dhe sfidohet pandalshëm”.

Gecaj më tej ka theksuar se në LDK janë dhe do të mbesin “ata të cilët punojnë me konsekuence dhe përkushtim për partinë dhe për realizimin e objektivave dhe qëndrimeve partiake”, e jo ata të cilët, sipas tij, “punën më të madhe dhe kryesoren e kanë zhvilluar në drejtim të kundërt”.

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, për Telegrafin thotë se nuk dëshiron të merret me Gecajn e deklaratat e tij pasi, siç thotë ai, “Gecaj nuk i takon asnjë strukture të LDK-së”.

“E para, unë prononcohem vetëm në rast se kemi ndonjë deklaratë zyrtare prej zyrtarëve të LDK-së. Ky njeri nuk e di në emër të kujt po flet. Ai nuk i takon asnjë strukture të LDK-së dhe nuk kisha dashtë të merrem më tutje me të. Për të gjitha këto probleme ne do të diskutojmë në momentin që shtrohet nevoja, brenda për brenda strukturave të partisë”, ka thënë Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi është njëri nga deputetët e LDK-së i cili ka dalë hapur kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.