Bundesliga vlon në gola, Reus rikthehet me gol (Foto)

15.04.2017 17:15:54
Generated by IJG JPEG Library

Zemra mal! Tifozët e B. Dortmund-it sot shijuan një fitore spektakolare (3-1) kundër E. Frankfurt-it në shtëpi, me ekipin e trajnerit Thomas Tuchel duke ruajtur një vend në zonën “Champions League”. Emocioni për verdhezinjtë kaloi në ekstazë pas vetëm tre minutash lojë, sepse idhulli i tyre, Marco Reus, u rikthye nga një dëmtim i gjatë duke shënuar golin e parë të takimit. Miqtë reaguan shpejt dhe arritën të barazonin në të 29′ me një gol fantastik të Marco Fabian-it. Pjesa e parë, gjithsesi, u mbyll me avantazhin 2-1 të nënkampionëve të Gjermanisë, për të cilët në të 34′ shënoi greku Sokratis.

45′ e dyta të verdhezinjve qenë spektakolare, me aksione të bukura dhe raste pafund. E. Frankfurt provoi të shënojë duke u përqendruar te kundërsulmet, por nuk qe dita e tij. Katër minuta para mbylljes së kohës së rregullt, Pierre-Emerick Aubameyang shënoi golin e tretë për nënkampionët e Gjermanisë dhe praktikisht mbylli takimin. Ndërkohë, ndeshjet e tjera në Bundesligë gjithashtu servirën një mori me gola. Hoffenheim shkatërroi 5-3 M’Gladbach-un, Leipzig 4-0 Freiburg-un dhe Wolfsburg 3-0 Ingolstadt-in. Shkurt: në pesë ndeshjet e orës 15:30, në Gjermani fituan vetëm vendësit. /telesport.al/