Burnley “treni ” i fundit i Championsit për Chelsea-in, Ajaxi pret Venlon

19.04.2018 09:20:09

Burnley është stacioni i fundit për Chelsea e Antonio Contes në garën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Sot në mbrëmje në Turf Moor përballë skuadrës surprizë së këtij sezoni që e ka siguruar vendin e 7-të, madje synon të 6-in, bluve u bën punë vetëm fitorja pasi kjo është një sfidë e prapambetur e javës së 31-të dhe në rast suksesi Chelsea do ta ngushtonte në vetëm 5 pikë, disavantazhin ndaj Tottenhamit të vendit të 4-ët, 4 javë përpara fundit të kampionatit, duke ruajtur ato fare pak shpresa për të kapur 4-en e parë.

Ndaj Burnley Chelsea ka fituar vetëm 2 nga 5 sfidat e  fundit, ndërsa vendasit mund të konsiderohen pa frikë skuadra e momentit në Premier League pasi vinë në këtë ndeshje pas 5 fitoresh radhazi. Formacioni i Antonio Contes të dielën do të sfidojë Southampton në gjysmëfinalen e dytë të FA Cup që do të zhvillohet në Wembley me objektivin e vetëm për të kapur finalen, por më parë blutë duhet të triumfojnë në këtë transfertë të vështirë ndaj Burnley në mënyrë që ajo përmbysje e jashtëzakonshme ndaj Southamptonit fundjavën e kaluar në kampionat të marrë vlerë dhe që Chelsea të mos lajë duart përpara kohe me Premier Leaguen.

Në Supersport përveç takimit Burnley-Chelsea, mbrëmja do tju ofrojë edhe sfidën e Eredivisies mes Ajaxit dhe Venlos. Harkëtarët pasi humbën titullin pak ditë më parë në transfertën ndaj Eindhoven duhet të fitojnë sot për të mbajtur larg AZ Alkmaarin dhe për të siguruar vendin e dytë që të kualifikon në paraeliminatoret e Champions League.