Burrel, të shtëna me armë drejt një palestre; në kërkim 5 persona

09.12.2016 15:17:10

Policia e Burrelit ka shpallur në kërkim 5 të rinj, të cilët dyshohen se kanë qëlluar në drejtim të një palestre.

Policia thotë se ka marrë një njoftim në sallën operative për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Pjetër Budi”.

Pas mbërritjes në vendngjarje u konstatua se ishte qëlluar me automatik në drejtim të një palestre. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar dhe as dëme materiale, ndërsa mendohet se shkak ka qenë një konflikt i djalit të pronarit të palestrës me disa bashkëmoshatarë.

“Rreth orës 13. 25 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat ka ardhur një telefonatë se në lagjen ‘Pjetër Budi’ në qytetin e Burrelit ka të shtëna armësh.

Menjëherë në drejtim të vendit që u dha  informacioni shkuan shërbimet e policisë ku rezultoi se në drejtim të bordurës së taracës të ndërtesës (palestër) në pronësi të shtetasit B.S,  është qëlluar me armë zjarri automatike.

Nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar dhe as dëme materiale në godinë pasi është qëlluar në drejtim të taracës së godinës. Nga veprimet e shpejta të kryera nga policia rezultoi se shkaku i këtij veprimi nuk ka lidhje me pronarin e palestrës por dyshohet për një konflikt për motive banale të djalit të tij B.S gjimnazist me disa bashkëmoshatarë të tij”, njofton policia.

Policia po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për kapjen e 5 të rinjve si të përfshirë në këtë ngjarje,  konkretisht:  A.P, A.P, A.K, E.K, dhe M.H.