BUST KRENARIE NË THERANDË

24.01.2020 11:05:42

Naxhije Doçi – Prishtinë

 

Sot, 12 dhjetor 2019 në rrjedha jete

jemi mbledhur tejmase të gëzuar

kuptohet edhe ndjenjësisht të përmalluar

në vendlindjen tonë perlë,

në Therandën me histori bujshmërie brez pas brezi

e lashtësinë pellasde-ilire në çdo hap e pëllëmbë

rrënjën e trashëguar.

Jemi mbledhur para tempullit të diturisë

me zëra fëmijësh jehut të dëlirë komponuar

për ardhmërinë e ndritur në gjasim margaritari

me emrin epik pagëzuar

“Destan Bajraktari”.

 

Në sfond flakërinë ballëlartë edhe BUSTI

në fokusim dëlirësie Destan Bajraktari,

skalitur në bronz shëmbëllimit të rrallë

nga mjeshtrit duarë-artë.

Për këtë skalitje të jehut krahështrirë

të përkushtuarit me vision drite

të vendlindjes reliev krenarie

morën vendimin,

hirësuan nderimin.

 

Në këtë skulpturë bronzi

një jetë e tërë qëndisur

shkollimi vijëzimit të renditur në ballë

kurrë pa u ndalur në hulumtime

etikë e stisur,

organizimet për hove të guximshme zgjimi

në shembje robërish të gjata sterrë

në Kosovën flakëruar lirie,

arkiv në mendjen e tij krejt zjarr.

Në mollëza të Bustit kujdesshëm të hijezuara

gjurmët e burgut nëpër këthina trishti përjetuar,

pikë në zemër fëmijët prush në shtëpi

për përkëdhelje flokësh përmalluar.

 

Sytë në BUST shkreptijnë të etur

për vendlindjen përmallim i djegur

familjarët dhe krejt banorët zemërbardhë të saj,

për bëmat historike gojëhapur mbetur.

Mbi vetull vrull i paskaj maje kulmit të shpresës

për dritësirë mbi errësirë

në Kosovën në pranga trishti ngujuar,

për shqiptarinë padrejtësisht coptuar

që në ardhmërinë e afërt

hartat ndryshimit të merituar

në tërësinë e dëlirë përthekuar.

 

Shkrimet tuaja në panumërim, thesar i pashuar

shumë sish folklor në gjirin e popullit ruajtur

me përkushtim zemre mbledhur

edhe nëpër këthetra demonësh të parrënjë.

Veprat poetike me motive  kohe

për të rritur e fëmijë si një mrekulli,

në secilën lloj krijimi flakërinë përherë

atdhedashuria me thellësi zemre,

qëndrimi i palëkundur në rrënjën mëmë

dhe bardhësi veprimi deri në pakufij.

 

Në këtë fundvit 2019

suksesesh të shumta në panumërim

tubim madhështor në këtë nënqiell mrekullie

pranë kësaj kështjelle diturie,

udhëheqësi e përkushtuar dhe mësimdhënës e nxënës

secili me role të veçanta ashtu si edhe i pari,

program të përgatitur me recitime e këndime arti

që të të kujtojnë me krenari e lavdi

bir i këtij vendi, atdhetar i përkushtuar

Destan Bajraktari

Që të të kujtojnë e të falënderojnë

për mirësinë që e dhe ndër breza

për këshillat tuaja që i jepje përherë

se atdheu është vlera më sublime

epikë kulminante

mbi secilën vlerë.

 

(PËRURIM BUSTI të atdhetarit, të burgosurit politik, folkloristit të dalluar, poetit të më se 40 veprave për të rritur e fëmijë, pajtimtarit të gjaqeve ndër shqiptar dhe Profesorit -DESTAN BAJRAKTARI-, para SHKFMU “DESTAN BAJRAKTARI”, në Therandë (Suharekë) – 12. 12. 2019.

Nderim dhe falënderim për Komunën e Therandës (Suharekës) me kryetar, Z. BALI MUHARREMAJ, Drejtorinë për Kulturë, në Therandë, Drejtorinë e Shkollës dhe të gjitha strukturat përkatëse të preokupuara për nisma dhe realizime dokumentimesh të tilla kulturore dhe arsimore me rëndësi!)

Naxhije Doçi – Prishtinë – 12. 12. 2019