Bylykbashi: S’mund të ketë parlament më 11 gusht

31.07.2016 09:51:52

Data e parashikur nga dy ambasadorët e SHBA dhe BE pët të mbledhur parlamentin në 11 gusht është një datë e pamundur sipas nënkryetarit demokrat të Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Bylykbashi thotë se afatet kushtetuese e ndalojnë mbledhjen e kuvendit në këtë datë për të miratuar ligjet e reformës.

“Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus që tani. Madje të gatshëm të mbledhim Komisionin që ditën e hënë. Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që kryetari i Komisionit shpërndau në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje të nesërmen. Imagjinoni ç’transparence ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative” tha deputeti i PD-së.

Sipas opozitës mënyra për të miratuar reformën në drejtësi është një seancë e jashtëzakonshme parlamentare.

“Kushtetua ka një afat limit dhe parlamenti nuk mund të mblidhet përpara datës 11 gusht. Gjatë kësaj kohe dhe deri më datën 4 shtator, parlamenti mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme por jo më datën 11 gusht. Pas botimit në fletoren zyrtare më datë 27 korrik të ndryshimeve kushtetuese, ato duhet të kalojnë 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi. Më herët, nuk mund të paraqiten në Kuvend e të shqyrtohen ligje që nuk kanë bazë kushteteuse. Ndaj duhet kohë për të shqyrtuar 7 ligjet dhe opozita do të vazhdojë të respektojë Kushtetutën por e angazhuar plotësisht” është shprehur Bylykbashi.

Bylykbashi sqaroi arsyet e mungesës së opozitës në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave për kontribuesit e reformës në drejtësi. Sipas tij nuk ka pasur asgjë për t’u festuar, pasi proçesi i negociatave u karakterizua nga arroganca, sulmet denigruese, konflikti, manovra tinzare e bizantine vetëm me një qëllim: “përpjekje për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për ta vënë nën kontroll politik e personal”