Bytyqi dhe ambasadorja Kiliç përuruan objektin e renovuar të Shoqatës Down Sindrom Kosova

16.01.2018 14:01:31

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç përuruan hapësirat e renovuara për ofrimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromë Down, në qendrën Down Syndrome Kosova, në Prishtinë. Renovimi i këtyre hapësirave është mundësuar nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë.

Bytyqi dhe Kiliç edhe njëherë shprehen përkushtimin e të dy vendeve, në realizmin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për një edukim të mirëfilltë në Kosovë, në veçanti për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministri Bytyqi, pasi ka falënderuar Qeverinë turke për investimet që po bën në rregullimin e hapësirave të nevojshme për edukim, theksoi se, arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta nuk është vetëm përgjegjësi, por edhe mision.

“Si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, vërtetë jemi duke bërë përpjekje maksimale që të kemi një përgatitje dhe përfshirje të të gjithë fëmijëve pa dallim. Përveq përgjegjësisë që kemi për të krijuar kushte për fëmijët me nevoja të veçanta, kemi edhe mision që të angazhohemi tërë kohën, që këtyre fëmijëve tu krijojmë kushte të cilat i kanë të domosdoshme”, është shprehur Bytyqi.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, MAShT do të jetë përkrah Shoqatës, përkrah këtyre fëmijëve në krijimin e ambienteve të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve për mësim.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe drejtorja ekzekutive e Down Sindrom, Sebahate Beqiri dhe përfaqësues Këshillit turk në Kosovë.