Bytyqi i PDK-së: Jemi në opozitë, hyrja në qeveri as që është trajtuar

10.10.2020 20:14:02

Avni Bytyqi, zëdhënës për media në Partinë Demokratike të Kosovës, ka shkruar në Facebook, se ky subjekt politik mbetet në opozitë, duke theksuar se hyrja në qeveri as që është trajtuar nga organet e kësaj partie.

Bytyqi gjithashtu ka shkruar se pavarësisht se disa herë e kanë përsëritur, disa media sipas tij po vazhdojnë ta thonë të kundërtën e asaj që ata kanë thënë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Avni Bytyqit:

Sot, në disa portale dhe media, është shpërndarë lajmi se kinse PDK ka dhënë shenja për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, ose nuk është duke e mohuar pjesëmarrjen e saj në koalicionin qeverisës në të ardhmen.

Ndërsa, kur e lexon ose e degjon intervistën e prof. Enver Hoxhajt, është e kundërta e asaj që thonë këta tituj e lajme.

Edhe pse e kemi përseritur shumë herë, disa media po vazhdojnë ta thonë të kundërtën e asaj që ne e kemi thënë.

PDK është në OPOZITË, hyrja në qeveri as që është trajtuar nga organet e partisë!