Bytyqi kërkon ndërprerjen e grevës, por SBASHK-u nuk zmbrapset nga kërkesat

20.01.2019 22:50:42

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqyri Bytyqi ka kërkuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), që ta ndërpresë grevën.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqyri Bytyqi ka kërkuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), që ta ndërpres grevën pas ofertës së qeverisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Bytyqi ka kërkuar edhe nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), që konform përgjegjësive që kanë, të bëjnë maksimumin në funksion të fillimit të procesit mësimor në gjithë vendin.

Por pavarësisht thirrjeve të ministrit Bytyqi dhe të Qeverisë, SBASHK-u ka vendosur që të vazhdojë grevën deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre.

Njoftimi i plotë i Bytyqit pa ndërhyrje:

Pas një angazhimi të gjatë dhe intenziv të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kryeministrit Haradinaj, zëvendëskryeministrit Limaj, në lidhje me grevën e filluar në arsim, si dhe pas shumë takimeve që zhvillova me përfaqësues të Qeverisë dhe Parlamentit, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Parlamentar për Administratë, me dakordimim e të gjithë deputetëve të pozitës dhe opozitës, mori vendim për miratimin e propozimit të MAShT për rritjen e pagave për mësimdhënësit.

Në takimin e sotëm bashkë me kryeministrin Haradinaj dhe kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, diskutuam rreth vendimit të Qeverisë për një trajtim më të dinjitetshëm të mësimdhënësve në Projektligjin për pagat.

Kjo është një e arritur e madhe pas një angazhimi të përbashkët në funksion të rritjes së mirëqënies së mësimdhënësve tanë.

Pas kësaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i bën thirrje SBAShK-ut që të mbledhë sa më shpejt Këshillin Drejtues dhe të marrë vendim për ndërprerje të grevës.

Gjithashtu, MAShT ju bën thirrje DKA-ve, që konform përgjegjësive që kanë, të bëjnë maksimumin në funksion të fillimit të procesit mësimor në gjithë vendin.

Edhe njëherë falënderoj të gjithë akterët që kontribuan gjatë këtyre ditëve në funksion të daljes nga kjo situatë që po rëndonte çdo ditë e më shumë procesin mësimor.

MAShT ju bën thirrje të gjithëve që, edhe pas këtij momenti, të vazhdojmë bashkëpunimin në mënyrë që ta trajtojmë më gjërësisht sistemin tonë arsimor dhe të angazhohemi që mësimdhënësit të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme, gjithnjë në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.