Bytyqi: Në vitin 2019 do të jenë të gatshme tekstet e reja shkollore

10.04.2018 14:57:49

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se në viti 2019-2020 do të jenë të gatshme librat e reja shkollore për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Përmes një konferencë për media ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se shumë shpejt do të shpallin konkurs për libra të reja shkollore, ku ky konkurs do të jetë i ndarë në dy pjesë.

“Shpalljen e konkursit për librat, tekstet e reja që do të jetë një shpallje, një konkurs publik për të gjitha nivelet, por që do të jetë i ndarë në dy pjesë. Për nivelin e parë do të kemi një publikim të librave për klasën përgatitore për klasën 0, 1, 6 dhe 10, ky konkurs do të shpallet tani shumë shpejt dhe sipas planit dinamik që po ashtu këshilli i ekspertëve e ka përpiluar planifikohet që diku deri në tetor të bëhet dorëzimi i dorëshkrimeve për tekstet e reja. Ndërsa, për pjesën e dyte të konkursit diku fundi i qershorit përfundojnë përgatitjet për hapjen e konkursit publik i cili planifikohet që në muajin korrik të hapet ky konkurs që do të jetë për tekstet e reja shkollore për klasën 2, 7 dhe 11. Që po ashtu, parashihet që në një gjashtë majorësh të jetë i mjaftuar për dorëzimin e dorëshkrimeve, që diku në janar të vitit 2019 do të dorëzohen dorëshkrimet për pjesën e dytë të këtyre librave ”, ka thënë ministri Bytyqi.

Përzgjedhja e autorëve për libra do të bëhet nga shtëpitë botuese, ku në këtë proces ministri Bytyqi tha se kush do të jenë autorët nuk është çështje që varet prej tyre.

“Shumë shpejt do të shpallim konkurs publik dhe do të jetë i hapur për shtëpitë botuese dhe shtëpitë botuese do të jenë ata të cilët i përzgjedhin autorët për përpilimin e teksteve dhe nuk është çështje e ministrisë së çfarë autorë do të angazhojnë shtëpitë botuese. Megjithatë, ajo çka nuk e theksova dhe që ka rëndësi të veçantë këshilli i ekspertëve ka punuar në drejtimin e udhëzimit për recensentët. Tani keni një udhëzim ku jepet një peshë dhe rëndësi e veçantë recensentëve dhe ata do të jenë që do të bëjnë vlerësimin e teksteve shkollore. Pra, jo rastësisht i thamë datat kur duhet të dorëzohen dorëshkrimet në ministri dhe pastaj recensentët do të merren me vlerësimin dhe vlefshmërinë e këtyre dorëshkrimeve. Se kush do të jenë autorët nuk është çështje që varet nga ministria, do të varet nga shtëpitë botuese. Të gjithë autorët mund të konkurrojnë brenda shtëpive botuese, nuk ka kufizim për ne”, tha ai.

Ministri Bytyqi tha se janë duke diskutuar edhe për çështjen e librave shkollorë për gjuhët e huaja, ku ai tha se kanë të finalizuar librat për gjuhën frënge, por që nuk janë në finalizim të librave për gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane.

Ndërsa, ai tha se ka mungesë të librave për shkollat profesionale dhe këtu sipas ministrit është një lloj hezitimi nga shtëpitë botuese të brendshme për arsyet e tirazhit të vogël. Por, ai u shpreh optimist që edhe me ndihmën e donatorëve do të gjejnë një alternativë që të ketë libra të mirëfilltë për shkollat profesionale.

Po ashtu, kreu i Arsimit tha se do të vazhdojnë të angazhohen që të kenë në Parlament projektligjin për tekstet e reja brenda këtij viti, pasi që sipas tij, ligji i ri iu ofron mundësi edhe shtëpive botuese ndërkombëtare të konkurrojnë, transmeton KP.

“Këshilli i ekspertëve dhe ne si ministri do të bëjmë vazhdimisht angazhimin tonë që ta kemi në parlament Projektligjin për tekstet e reja, i cili shpresoj që këtë vit ta përfundojmë dhe të futet në fuqi. Ku përveç që do të kemi tekste të reja në përputhje me ligjin e ri, ligji i ri do të na japë mundësinë që të kemi edhe alternativë të librave, të cilën ne shpesh e kemi thënë që do të jepet mundësia që të kemi edhe tekste të shtëpive botuese ndërkombëtare. Me ligjin e ri, kjo do të mundësohet, pra do të kemi mundësi të kemi një konkurrencë të lirë që të kemi edhe shtëpi të tjera botuese këtu në Kosovë”, tha ai.