Bytyqi shprehet për thellimin e bashkëpunimit me UNICEF-in

15.05.2018 17:38:06

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim Afshan Khan, drejtore rajonale e UNICEF-it për Evropë, me të cilën bisedoi për mundësitë e përforcimit të partneritetit reciprok për edukimin në fëmijëri të hershme, përmirësimin e cilësisë në arsim dhe çështje tjera me interes.

Me këtë rast ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e UNICEF për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme në edukimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, dhe njëherësh theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

“Duke e ditur rëndësinë e edukimit në fëmijëri të hershme, ne jemi të angazhuar që të rrisim numrin e përfshirjes së fëmijëve nga mosha 3-5 vjeçare , porse aktualisht nuk kemi kapacitetet të mjaftueshme që të arrijmë standardet evropiane në këtë drejtim”, tha ai.

Sa i përket përmirësimit të cilësisë në arsim, ministri Bytyqi tha se tashmë ka filluar të implementohet kurrikula e re, porse ende ka nevojë për trajnimin e mësimdhënësve dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore në mësimdhënie.

Duke folur rreth përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në klasat e integruara , ministri Bytyqi tha se është lajm i mirë që do të ketë kod të ri buxhetor që lehtëson punën e asistenteve që do të përkujdesen për edukimin e këtyre nxënësve në shkolla.