Ca rreshta për libr in më te ri të Dije Lohajt, “Gjama e paqes”

24.02.2021 19:08:00
Nga Erget Cenolli
Kur mora në dorë librin e tretë të Dije Lohajt, libër i cili fitoi edhe çmimin e dytë në konursin vjetor për vitin 2014, të shoqërisë letrare “De Rada” porsa lexova titullin, një shungullim i jehonshëm më pushtoi dëgjimin, gjykimin e përfytyrimin tim. Ishte një shungullim që lidhej me theksin i cili rëndonte mbi dy gërma “Gj” e “S”. Këto dy gërma janë si dy shenja magjike të nëvetëdijes sonë; njëra përfaqëson gjëmimin që vjen nga qielli; tjetra fërshëlllimën e gjarprit, që mbin përdrejt nga nëntoka. Dhe gjithë libri vërtet mbi këtë bosht Zenit e Nadir; pra qendra më e lartë e kupës qiellore dhe pjesa më e lugët e botës nëntokësore.
“Gjëma e paqes” vjen menjëherë pas valëve tronditëse të librit poetik “Cunamet ua solla unë” të kësaj autoreje, ku bota u shkatërrua e u ndërtua brenda një libri të shenjtë poetik. Pas këtij shkatërrim- rikrijimi na vjen menjëherë “Gjëma…”. Kjo fjalë është rrokullisur gjithmonë honeve të mistershme të gjuhës dhe zakoneve shqiptare, ka qënë pjesë e rrojtjes dhe e vojtjes të këti kombi fatzi. “Gjëma e gjaktë që gjet shteg…” ushton Koçi Petriti; “Një gjamë dëshprimit” thërret Gjergj Fishta; e gjama shqiptare rokulliset e rrokulliset derisa ndalon tek “Gjama e paqes” e Dije Lohajt. Kjo gjamë është një labirint, në katakombe vuajtjesh e psheratimash, të cilat herë pas here dalin e shungullojnë fuqishem në qiell. Pas gjithë atyre luftrave, mundimeve, vuajtjeve pas hekurave e betejave në qiell të hapur, luftëtarët e luftëaret zbresin të parqafojnë paqen, por shohin se kjo është vetëm një gjëmë bubulluese e fishkëllim- helmuese… dhe të gjitha këto të thëna me një mjeshtëri të lartë artistike sepse:
Dije Lohaj është e parëlindur për të shkruar poezi, ashtu si “Bukuroshja e Durrësit” ishte e parënlindur për t’u bërë modele.
Një konstelacion labirintesh
Gjithë libri është ndërtuar në pesë pjesë. Në të vërtetë është një konstelacion me pesë labirinte, të cilat në leximin e parë të duket sikur nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, por që të kalojnë si me magji brenda mureve të njëri- tjetrit.
Labirinti i parë ,”Brenda mureve të lirisë”, që në tiltull e sheh që është një krijim i çuditshëm, i pazakontë dhe i papërfytyrueshëm nëse nuk hyn aty për ta parë me sytë e tu, e për ta ndjerë në qënien tënde. Një mozaik i tërë metaforash të japin idenë e një realiteti të hidhur e të ndyrë brnda të cilit ka mbetur poetja, por edhe n gjithë gjindja rotull saj, gjindja që besoi se liria do të ishte shpëtimi, por në të vërtetë jo… liria ishte vetëm parajsa për kolltukët e mëndafshtë dhe ferri për të tjerët:
Përreth shtëpisë së tim eti
Lozin tingujt e djallit,
Lozin
Dhe ulërima e hienave të tmerron,
Po, lozin me trokun e Kalit trojan,
Me ëndrra piramidash Keopsi,
Faraonët zgjatin duart si vinça ekskavatorësh,
E Prevalla paska dalë nga ajo valle,
Hedhur nëpër mëndafshe kolltukësh.
(Shtëpia e tim’eti)
Me vargje të tilla që të rrethojnë dhe të robërojnë në realitetin e tyre estetik; dhe kur lexuesi ka humbur shpresat se mund të gjejë rrugëdalje, duke u endur ndër “mure muranash”, si me magji ndodhet në labirintin e dytë: “E çmendur kërkoj farat e jetës”…
Këtu fjala poetike (Lasgushi do të thoshte “verbi poetik”), të çon në vende nga më të çuditshmet , në situata nga më fantastket, të cilat herë- herë të duket sikur i ke përjetuar shumë herë të tjera dhe herë – herë, sikur i përjeton për herë të parë. Është ngjashmëria midis realiteti estetik të poezive të Dije Lohajt dhe realitetit fizik që po jetojnë shqiptarët përditë. Është një tragjedi e lashtë dhe e re, që luhet në skenën e Butrintit antik, por edhe në rrugët, sheshet dhe shtëpitë tona. Është një ngjarje përtej vdekjes, por edhe mes të gjallëve të sotëm:
Brenda gucës së vdekjes,
Grimca dheu gatuajnë baladën e vdekjes
E japin kumtin e kafkave
Për të gjallët mbi tokë,
Nga ai teatër varri,
Ku ulet e bie perdja ime,
Si hije që mbështjell pikëllimin,
Para paqes dhe flijimit,
Spektatorë te vetmuar të qenies sime.
Spektatorët duartrokasin e duartrokasin… dhe më pas marrin sërishmi rrugët e mërgimit, duke kthyer kokën nga Bjeshkët e Namuna dhe duke dëgjuar klithmën e poetes:
“UNË I NAMA BJESHKËT E NAMUNA” e cila të çon në hyrje të labirintit të tretë të librit, ku si në një shpellë të stërlashtë, prehistorike, shohim mbi kokat tona “grafite të reja për zogjtë, fjalët dhe gurrët”.
Nëpërmjet ca hieroglifeve poetike ne zbulojmë varret që ruajnë kufirin e Atdheut. Këto varre janë emra heronjsh, gjeografi kështjellash e rrugësh të lashta, ku nëma të ndjek hap pas hapi e të thërret me një këngë të lashtë majekrahu:
Eja e merri këngët e tua dhe hyr në to i çakërdisur ashtu si je!
Eja dhe bëhu martir i fundit i dheut tim!
Se unë i nëma Bjeshkët e Nëmuna.
Eja e hapi kështjellat e pushtuara se loti po rrjedh si det!
Ngjalle zjarrin e fikur në qiellin e syve tanë!
Ngjalle çdo gjë timen dhe tënden shekujve të përflakur!
Eja, ose hesht përgjithmonë!
Eja e mate trimërinë tënde e mos u trishto!
Nga ulërima dhe tmerri që po lodrojnë siluetës sate.
(Nëmë për bjeshkët e nëmura)
E kështu mes nëmave ulëritëse kalojmë në pjesën e katërt të librit “Kur zemra brof nga dheu”. Tek katërmbëdhjetë poezitë e kësaj pjese, lexojmë metaforat më të çuditëshme që kemi hasur ndonjëherë në letësinë shqipe. Këto metafora duken sikur kanë dalë nga “Perandoria e Hadit”, gatuar e pjekur në furrat e nxehta të dheut. Në atë qoshe të nxehtë ku midis tmerrit gatuhen perlat më të bukura të cilat i ngatërrohen poetes dhe lexuesit nëpër qafë, ballë e nëpër kyçet e këmbëve e të duarve. Një krijesë e stolisur kështu nuk mund të strehoet vetëm se në “Katedralen e dashurisë” ku:
… malli këmbëkryq ulej
Me tundonte themeli i saj
E nëpër ato themele
Kryqëzoheshin dhe verboheshin
Sytë tanë
Në këtë natë pa yje e hënë
Universi lëviz
Makthshëm mbi kokat tona,
Edhe pse kjo katedrale dashurie
Ishte ndërtuar veç për ne…
Aty kuptojmë, se pikërisht poetja nuk jeton më dhe gjithë këto janë “Kronika nga arkivoli”, që nuk është një arkivol i zakonshëm, por një urnë e lashtë me hirin e saj poetik, që na çon drejt pjesës së pestë të konstelacionit me labirinte të këtij libri dhe që titullohet “Gjurmë në hirin e jetës sime”.
Ç’kërkon Dija të na thotë nëpërmjet kësaj vdekjeje , djegieje dhe varrosjeje sa madheshtore aq edhe imagjinare?
Vdekjen e idealeve?!
Vdekjen e besimit?!
Vdekjen e shpresës?!
Vdekjen e së ardhmes?!
Këtë lexuesi do ta mësojë porsa të mbyllë pa dashjen e vet, këtë libër vargjesh të papërsëritshme, siç e kam thënë edhe më parë, në gjithë letësinë e vjetër dhe të re shqipe.
Në planin metrik dhe estetik, Dije Lohaj, ka krijuar fytyrën e saj të pangjarë me asnjë poet apo poete tjetër. Poezia e saj me strofën kolonë, me vargjet që këmbehen herë pas here në gjatësi apo ritëm, të japin përshtypjen e lëvizjes së valëve të detit, që marrin formën sipas përplasjes me flladin apo suferinat detare. Vargjet dhe strofat e Dijes marrin formë sipas flladit dhe suferinave frymëzuese brenda shpirtit poetik, të ndikuara këto fuqishëm nga realiteti i hidhur që jetojmë dhe që poetesha e përjeton në gjithë qënien e saj të ndjeshme.
Estetika e poezisë së Dije Lohajt, është estetika e jetës, ku e keqja mbizotëron të mirën dhe e shëmtuara shtyp gjithmonë të bukurën, mjafton të lexosh poezinë “Ju shkelni lulet” dhe do të bindesh për këtë:
E qenia ime e rebeluar
Po dridh muret
E këtij burgu të hapur,
Ku sillen të lirë vetëm
Fatura telefonash e energjish,
Politikanë e biznesmenë,
Ku gjaku për herë të parë
Nuk është gjak
E vrimat e plagëve po rrjedhin ujë,
Ju prapë shkelni lulet.
Në përfundm do të doja të theksoja përsëri me forcë, se në duart e lexuesit është përsëri një libër tronditës poetik. Ky libër është i realizuar në të gjitha planet: ideor, metrik, estetik. Leximi i këtij libri për lexuesin do të jetë si ai burimi i ftohtë i malit, që sa herë e prek dhe e pi, të ftoh duart e buzët, por që ti posa ke pirë ke dëshirë t’i kthehesh sërshmi e sërishmi, pa u ngopur.