Çabiqi, në njëzetvjetorin e kujtimit të Masakrës së shtatë prillit 1999

08.04.2019 09:51:11

Nga Prend BUZHALA

(Fletëza lufte)
Gjatë tre muajve të vitit 1999 ( 25 mars-11 qershor), dhjetëra fshatra të Klinës (Llapushës) e Drenicës po qëndronin në malet përreth Murgës dhe tunelave. Prapë në shënjestër gjendet ky fshat. Kështu tashmë kishin rifilluar luftimet e ashpra. Përsëri banorët e këtij fshati strehohen nëpër malet përreth, si tek Tunelet e Ujëmirit, tek malet e Çabiqit etj, ku gjendeshin rreth 15 mijë të zhvendosur edhe të fshatrave Cerovik, Ujmirë, Siqevë, Zabergjë, Obrijë, Murgë, Açarevë, etj. Popullata ishte rrethuar nga të gjitha anët prej forcave serbe dhe sulmohej shpesh. Banorët e fshatit Çabiq ishim vendosur në malin e quajtur Lugu i zabelit (në luginë, lagja Buzhala), kurse lagjet tjera qëndronin në bregun përballë maleve të Abrisë (i ndan në mes hekurudha, lumi dhe një vijë ajrore disakilometërshe).

1. VRITEN DHJETË VETË, PLAGOSEN 15 TË TJERË

Një ditë prilli (para se të ndodhte masakra), shkuam me doktor Pashk Buzhalën, t’i shihnim banorët tjerë, në kishte diçka të re. Doktori tërheq vëmendjen që tepër po ekspozohen këtu përballë forcave serbe, që ishin stacionuar te Kulla e Hadakut në Obrijë të Ulët.
Ishte dita e 7 prillit 1999.
Një natë më parë Vuk Drashkoviq, përmes medieve, shpall se do të ketë “armëpushim të njënashëm” për hir të festës së pashkëve” ortodokse-serbe.
Por a ndodhi ky armëpushim i shpifur?
Po qëndronim në këmbë, duke biseduar në atë luginë, me disa banorë të lagjes, kur dëgjohet afër nesh krisma e një mine (diku nja 80-100 metra larg). Tjetra shpërthen pas disa sekondash. . Tashmë iu kishim dhënë urdhër të rinjve, grave e fëmijëve që të hynin nën lisa, të shtriheshin, dhe të lëviznin disa hapa pas çdo shpërthimi mine, kur pas një një minute dëgjohen edhe disa shpërthime përnjëherësh.
Ato ditë pranvere të vitit 1999 forcat serbe duke e pa se po e humbasin luftën në Kosovë, ishin tërbuar dhe kryenin masakra në popullatën civile shqiptare. Atë ditë me 7 prill 1999 po bëhej luftë e ashpër në fshatin Abri e Epërme. Luftëtarët e UÇK-së luftonin në një afërsi pa u trembur fare. Lufta bëhej e ashpër dhe e përgjakshme. Forcat serbe kishin pësuar humbje të mëdha. Ishin goditur edhe nga forcat e NAOT-s (isha vetë dëshmitar në fshatin Tërtenik, ku kam parë tanke të goditura, rroba të shqyera të ushtarakëve serbë, nëpër tela shtyllash të rrymës elektrike e të telefonave.) Ishte dita kur të gjatë këtyre luftimeve në Abri ranë heroikisht trimat tonë Xhevat Demaku, Imer Shala, Bedri Demaku (kam qenë ato ditë në Abri, dhe për këtë ngjarje para disa vitesh, këtu në rrjetin social, e kam publikuar atë fletëz lufte).
Prandaj, në shenjë hakmarrjeje për humbjet e veta në terren, forcat serbe sulmonin popullatën duarthatë. Sulmoi dhe granatoi edhe banorët e Çabiqit nëpër tenda. Me këtë rast, me një breshëri granatimesh, vriten 10 veta (gra, pleq, fëmijë, të rinj etj) dhe plagosen mbi 15 veta, ndër të cilët edhe sot shumë veta i vuajnë pasojat. Kështu, u vranë Sofije Gashi (75 vjeçe), Amërllah Gashi (65 vjeçar) dhe gruaja e tij Zarife Gashi (63 vjeçare), Shaban Gashi (60 vjeçar) dhe djali I tij Enver Gashi (35 vjeçar), Zade Gashi (55 vjeçare), Sead Gashi (19 vjeçar), Servete Gashi (20 vjeçare, babai i së cilës ishte vrarë në verën e vitit 1998), Fatime 32 vjeçare, me djalin e vetëm, Mergetin (3 vjeçar), foshnja e posalindur e Mehdi Gashit, me ç’rast plagoset rëndë edhe nëna e kësaj foshnjeje.
Më vonë u vranë edhe Destan Gashi (60 vjeçar), gruaja e Asllan Gashit (33 vjeçe), Musli Gashi (37 vjeçar), kurse ditë më parë ishin vrarë pleqtë Gegë Buzhala (85 vjeç) e gruaja e tij Mane Buzhala (83 vjeç) që u u varnë e u dogjën pse nuk dolën nga shtëpitë e tyre. Ndërsa të zhdukur janë Muhamet Gashi, Adem Gashi me të vëllanë e tij, Ismet Gashin.
(Interemxo: Disa nga informacionet, nga ato ditë të rënda, i shënoja në një fletore të posaçme, që e quajta Fletore lufte, ato i përmblidhja dhe disa herë ia kam dhënë Habib Morinës e Zeqir Morinës, Habibi tashmë është i ndjerë, që i dërgonin, si thoshin ata, në Radio Kosova e Lirë… meqë më nuk ishte e munduir të dërgoheshin për medie tjera, “Rilindjes” apo radiove të jashtme, kur herë pas here, në cilësinë e gazetarit të luftës, u dërgoja informacione e raporte për gjendjen… )
Një muaj më vonë vritet edhe Musli Gashi.
Pas kësaj breshërie minahedhësish që goditnin nga Abria, shkuam përsëri me dr Pashkun.
Ç’të shohësh: kufoma të shqyera njerëzish, traktorë të bërë copë e grimë, tokë e skuqur me gjak. Nipi i familjes së Hajdinëve, Amrush Shala (Ujëmirë, që iu kishte zhdukur vëllai), mbulon sytë me duar. Smajli, plaku më i moçëm i kësaj lagjeje, rrëfen me zë të dridhur për batërdinë. Doktori po merrej me 15 të tjerë të plagosur… Tashmë një ekip luftëtarësh dhe të rinjsh po merreshin me kufomat e me varrosjen e tyre në luginë.
“Armëpushimi” serb i festës së pashkëve ortodokse, po festohej me derdhjen e gjakut shqiptar.
Ishin dhjetë varre që pushuan në paqen e Zotit, deri në ditët e para të lirisë…

2. VRITET EDHE FOSHNJA E POSALINDUR, LEHONA PLAGOSET RËNDË

Ali Gashi, luftëtar, rrëfen:
“Forcat serbe nga tërbimi që kishin pasur humbje në Abri, menjëherë filluan ta granatojnë popullatën civile të fshatit Çabiq që ishte e strehuar në malet e Çabiqit, gjatë këtyre granatimeve forcat serbe vranë 12 civilë të fshatit tim Çabiq dhe plagosën shumë të tjerë, në mesin e të vrarëve kishte fëmijë, mosha të reja, gra dhe pleq, kishte fëmijë të posalindur, në mesin e tyre ishte edhe familja e axhës tim, nga familja e axhës u vranë nusja e re Fatime Gashi-Demaku bashkë me djalin 3-vjeçar Mirgetin, dhe vajza e vogël Drenusha ishte plagosur rëndë dhe e kishte humbur dorën, Fatimja ishte motra e trimit Xhevat Demaku, ishte shumë dhimbje e madhe.”
Drenushës iu desh që me prindin e saj, me njëmijë përpjekje, të dilnin jashtë Kosovës, dhe diku në spitalet e Evropës ta kurojë dorën e saj.
Do theksuar se Drenusha bëhet personazh i një vepre letrare për fëmijë të Rifat Kukajt me totullin “Kush ma mori dorën”.
Çabiqi, vendlindja e komandant Kapuçit, ishte e mbetet vatër gjithnjë e ndezur për mysafirë e për mikpritje, vatër gjithnjë e pashuar për krijimtarinë artistike popullore, por vatër gjithnjë e pashuar edhe për rezistencat e luftërat çlirimtare ndër shekuj e mote e deri te kjo e fundit e UÇK-së. Në periudhën deri në luftën e fundit, Çabiqi kishte 151 familje me mbi 1100 banorë, kurse lufta dogji mbi 98 për qind të objekteve të banimit, të ekonomive familjare, shkatërroi blegtorinë e bujqësinë, dëboi banorët që jetuan nëpër male në të dy ofensiva të egra, më 1998 e 1999, vrau 24 burra, gra, pleq e fëmijë, Çabiqi dha dy dëshmorë, komandantin Mujë Krasniqin dhe të vëllanë e Mujës, Ali Krasniqin, ndërkohë që ende dy veta janë të zhdukur.
Qe disa vite, kur vizitori vjen në këtë fshat, në të tri hyrjet e tij, e ka parë një pllakë metali, në të cilën shkruan: “Mirëserdhët në vendlindjen e komandant Mujë Krasniqit!” Ja edhe një dëshmi tjetër për lavdinë e rikthyer kombëtare! Çabiqi gjithnjë ka reflektuar kulturë, gatishmëri për sakrifica, ka dhënë njerëz të artit e të krijimtarisë popullore e folklorike; gjithnjë e ka reflektuar tolerancën ndërvëllazërore fetare, e ardhur si traditë nga të parët e nga pleqtë tanë fisnikë e të fisëm, sepse ende ruhen lidhjet e gjakut me rrënjë të përbashkëta familjare. Tashmë tradicionalisht aty hapet Festivali foklorik “I këndojmë lirisë”, si një vazhdim i natyrshëm i traditave popullore, me “Sofrën e mikpritjes”, e njohur me emrin “Sofra e Çabiqit”.që vazhdon për tri net me radhë në qytetin e Klinës. Çabiqi ka dhënë e jep edhe njerëz të artit, të dijes e të fushave të tjera të jetës shoqërore e politike.