Çadra, Markata e peshkut, Lu-Arvizu

As më shumë e as më pak, por plot 240 minuta, me peshk edhe verë, Edi Rama dhe Ilir Meta, zgjodhën mbrëmjen e të dielës të bëjnë pazarin politik të radhës, në një restorant me prodhime deti tek “Pazari i Ri” në kryeqytet. Sabati është dita e shtunë, gjatë së cilës Allahu ua ndaloi hebrenjve të peshkonin, si sprovë dhe ndëshkim për gjynahet e tyre.

“Pyeti ata hebrenjtë për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (së shtunës). Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta”. Kjo thënie kuranore flet mbi hebrenjtë, feja e të cilëve e ndalon në mënyrë absolute punën në ditën e shtunë, qoftë edhe për të siguruar ushqim. Në qytetin në fjalë, që është qyteti i Eilatit në Gjirin e Akabasë, ndodhte që peshqit i afroheshin bregdetit me shumicë ditën e shtunë, kurse ditëve të tjera qëndronin larg dhe në thellësitë e detit, duke e bërë të vështirë punën e peshkatarëve. Kjo ishte një provë nga Allahu, për të verifikuar bindjen ndaj urdhrave të Tij. Të dielën dy peshkatarët e mëdhenj të politikës në Shqipëri, për të treguar se i njohin mirë dhe i zbatojnë këshillat e librave të shenjtë, u shfaqën në një restorant peshku. Po çudia është se në restorant peshku ku shkuan ata, thuhet se, kanë preferuar të hanë të pjekur një kec stine. Pa ngjala si dikur para katër viteve, Edi Rama dhe Ilir Meta për darkë u lëshuan mbi një kec tropoje, pasi është shumë i shijshëm në kohë krizash. Bashkë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, në darkën tek “Pazari i Ri” ishin edhe Erion Veliaj dhe Petrit Vasili. Gjatë të dielës, por edhe më herët në mënyrë të përsëritur, ka pasur deklarata të forta që nxjerrin në pah një përplasje brenda koalicionit të majtë mes dy forcave kryesore PS dhe LSI. Por, duket se nuk ka kohë më për sulme sepse po vjen data 18 prill dhe në KQZ duhet të regjistrohen Koalicionet. Me pas nuk ka më as ngjala, e as kec të stinës. Spektakli i darkave dhe takimeve mes Ilir Metës e Edi Ramës, që përvijohet më pas me akuza të forta e kundërpërgjigje përçmuese, po merr tipare grotestke. Ndërsa, gazetarët kanë pritur jashtë restorantit për të marrë lajmin e fundit, Rama-Meta të shoqeruar edhe nga Petrit Vasilo e Erion Veliaj kanë dalë të qetë duke përshendetur me një buzeqeshje të lehtë. Rama dhe Meta nuk dhanë asnjë deklaratë për mediat por kanë lënë në mister sërish vazhdimin apo jo të këtij koalicioni. Me “sy e veshë” të gjithë presin që e hëna, do të zbardhë përmbajtjen e faturës dhe “pazarin” e natës mes dy liderëve. Sidoqoftë menu-ja, kec apo peshk, e sigurtë është: Nëse ishte kec, ai nuk i shëron mëkatet. E nëse ishte peshk do Zoti, nuk ka rënë në rrjetë të shtunën. Marrëveshja eshtë mbyllur: shpallja e saj është shtyrë. Krejt problemi qëndron te Çadra: Ajo patjetër duhet mbyllur. Me çadrën në bulevard, darka e 2 prillit nuk ka asnjë vlerë. Meta mund të luajë me efektin e çadrës duke e shtyrë kufirin drejt territoreve të Ramës, ndërsa çadra vetë mund t’a zhbëjë krejt marrëveshjen. “Peshku është qelbur nga koka. Markatën e peshkut le ta komentojne tregtaret”, ka deklaruar Basha për gazetarët. Sipas tij, ” E vetmja garanci për fitoren në këtë betejë epike dhe historike është bashkimi dhe qëndresa jonë deri në fitore. Me shpifje, me mashtrime, me presione, do të bëjnë gjithçka për tërheqjen tonë, për tërheqjen e PD, Bashës, opozitës nga kjo betejë. Garantoj çdo shqiptar që mund të ndahemi në pikëpamjet tona politike, por që na bashkon vullneti për të pastruar politikën nga krimi dhe për të mos e lejuar Shqipërinë të kthehet në një republikë droge, dua ti garantoj se këtë betejë e ndërmarr me gëzimin dhe vendosmërinë totale sepse nuk është për mua, për karrigen time, për PD, por është për fatin e çdo shqiptari të ndershëm”. Se çfarë vlere ka një marrëveshje për një qeveri të dalë nga zgjedhjet pa opozitë, këtë mund të na e thonë dy diplomatët amerikanë Donald Lu dhe Aleksandër Arvizu të cilët janë protagonistët e rebusit për Tiranën zyrtare në këtë 3 prill.

Nga Azem Parllaku