Call Center, administratorët në Shqipëri: Jo mbyllje totale, por sjell vështirësi

29.11.2016 16:06:23

Lajmi që mbërriti nga Italia, lidhur me ekzistencën e kompanive Call Center në vendet, që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, si rasti i Shqipërisë ka tronditur themelet e kompanive që operojnë në vendin tonë. 285 call center-a pritet të mbyllen.Po, çfarë pasojash do të sjellë mbyllja e këtyre kompanive në vendin tonë?

“Ky është një lajm që do ketë shumë pasoja negative. Ligji nuk prek vetëm Call Center-at italiane, por edhe ato shqiptare që kanë kontrata me italianët. 25 mijë të rinj mbeten pa punë”, tha Roberto Caparrota, Administrator Call Center.

Por, një nga administratorët e Call Center-it të parë në Shqipëri, mendon ndryshe… Ai e sheh rrezikun në një tjetër këndvështrim.

“Kjo normativë, që aktualisht pritet të kalojë nuk parashikon një mbyllje totale të Call Center në Shqipëri, thjesht e vështirëson atë. Nuk është e thënë që do ta aprovojë edhe senati, mund të ndryshojë kushte ose mund të mos miratohet fare”, tha Agron Shehaj Administrator Call Center.

Qeveria italiane po kërkon prej vitesh të kthejë kompanitë Call Center që operojnë në Shqipëri, në vendin e origjinës. Kjo, me qëllim frenimin e lëvizjes së vendeve të punës. Vendimi final, tanimë i takon dhomës së Senatit të qeverisë italiane.