Carlo Bollino zbulon “grup anti-reformë” në media

30.07.2016 17:00:32

Gazeta Shqiptarja.com e botuesit Carlo Bollino ka shfrytëzuar debatin e gjerë për reformën në drejtësi për të akuzuar disa media, gazetarë e analistë se kanë pasqyruar qëndrime oportuniste duke u bërë kështu në grup kundër reformës. Pa përmendur emra e pa cituar fakte, ajo ka tentuar të vendosë një vijë fronti edhe në media, për të ndarë ata që sipas saj janë pro me ata që janë kundër kësaj kthese të madhe për shoqërinë.

 “Kështu, ndërkohë që në media konstatohet se qyetarët e telefonatave direkte nuk bëjnë gjë tjetër veçse ankohen për njerëzit e drejtësisë dhe politikanët, shumica e gazetave dhe televizioneve, si dhe të portaleve oline, që po shtohen me shpejtësi, vendin kryesor sidomos në faqet e para dhe lajmet e emisioneve kryesore informative ia rezervojnë argumentimit të nevojës për… të shtyrë në kohë reformën… Është e habitshme se si gazetarët me përvojë dhe aftësi profesionale të detyrohen të dalin me artikuj që bien ndesh me ndërgjegjen kolektive sa i përket nevojës urgjente të një reforme radikale në drejtësi”, shkruan Shqiptarja.com.

Në këtë përpjekje për ta realizuar qëllimin e saj, Shqiptarja e botuesit italian Bollino, nuk sjell asnjë fakt, çka i nevojitet një shkrimi të tillë për ta bërë atë të besueshëm para publikut dhe çka është roli kryesor i gazetarit dhe mediave. Kjo sentencë, për të marrë trajtën e konstatimit, ka nevojë të shoqërohet së paku me tituj të edicioneve informative, të gazetave e portaleve, me emra tyre dhe të gazetarëve me përvojë e profesionistë, që gazeta e Bollinos thotë se ishin kundër reformës. Por këta elementë të besueshmërisë mungojë.

Në mungesë të tyre, gazeta vazhdon të shpjegojë arsyet e krijimit të këtij “blloku anti –reformë”, që ajo thotë se ka zbuluar në media.

“Si qëndron puna? Gazetarët shqiptarë nuk janë qyetarë si gjithë të tjerët? Janë ata imunë ndaj korrupsionit galopant dhe gjithëpërfshirjes në sistemin e drejtësisë? Përkundrazi. Por gazetarët janë të punësuar. Pavarësisht se çfarë mendojnë ata lidhur me këtë reformë personalisht, janë të detyruar të respektojnë një linjë editoriale, që e bëjnë botuesit. Gjatë gjithë këtyre dekadave të postkomunizmit, botuesit shqiptarë kanë qenë të lidhur me politikën, me biznesin dhe, më keq akoma, në raste të caktuara, edhe me krimin, për të përfituar nga paratë e tyre”, vijon gazeta.

Me idenë e këtij shkrimi, Bollino po i shkon mbrapa kryeministrit Rama, i cili ka hedhur në treg strategjinë e tij për krijimin e një “fronti imagjinar antiperëndimor” dhe që ka për qëllim që ta përdorë si tezë elektorale, në kohën kur s’ka bilanc për t’u dalë përpara shqiptarëve që janë më të varfër dhe që shohin se si pushtetarët e njerëzit dhe bizneset pranë tyre po pasurohen me hap galopant, përmes aferave të dyshimta korruptive.

Këtë ide Rama e artikuloi qartë në fjalimin e tij në festën për reformën, në Pallatin e Brigadave.

“Së pari, presioni i vullnetit popullor, që u mishërua natyrshëm qysh në krye të procesit, në bashkëpunimin e shumicës qeverisëse me aleatët strategjikë të Shqipërisë. Së dyti, presioni i pazakonshëm i aleatëve strategjikë mbi bllokun kundër reformës, që arriti një kulmim vendimtar në fund të procesit. Së treti, presioni që krijoi brenda atij blloku, kurajo e disa deputetëve, që garantuan shumicën kushtetuese për votimin e reformës”, tha Rama.

Ashtu si gazetës së Bollinos edhe Ramës i mungojnë faktet. Dhe ashtu si në rastin e Ramës, shkrimi pa fakte i gazetës së Bollinos ngre disa pikëpyetje të forta për arsyet e vërteta botimit të tij.

Në mungesë të fakteve, mos vallë produkti i këtyre përfundimeve është është përvoja personale me trajtimin e gazetarëve, me raportet me politikën, me biznesin apo më keq akoma…? Apo, ashtu siç po bën qeveria me të cilën akuzohet se ka lidhur kontrata të dyshimta për të përfituar para publike, mos ndoshta edhe Bollino kërkon të ndajë edhe gazetarët në pro-perëndimorë dhe anti-perëndimorë?

Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve ka nevojë të kthehemi vetëm pak pas në kohë. Në maj të vitit 2015 gazetarët e A1 Report, që në atë kohë ishte pronë e Bollinos dhe ish –ortakut të tij Koço Kokëdhima, nisën disa lajme tek kolegët e tyre, se kishin 2 muaj pa marrë pagat, duke u kërkuar të ruhet anonimati. Gazetarët e Bollinos nuk guxuan ta bëjnë më të madh shqetësimin e tyre, nga frika se do të humbisnin vendin e punës. Kolegët e tyre shkruajtën për një protestë, por kur u pyetën zyrtarisht nga redaksitë, ata nuk patën guximin për ta pohuar.

Ky rast është një provë e fortë se nga fillon mungesa e lirisë. Vartësia ekonomike është një prej formave më të mira të “heqjes së medimit personal” apo “ndërgjegjes civile”, siç prentendon gazeta e Bollinos se ka ndodhur në debatin për reformën në drejtësi.

Përsa u përket raporteve me politikën, Carlo Bollino është akuzuar nga disa media,  se është shpërblyer nga qeveria për shërbimet që mediat e tij i kanë bërë. Ai është akuzuar edhe se ka krijuar kompani fiktive për të lidhur kontrata me qeverinë.

 

Vetë Bollinos i dhimbset aq shumë kjo qeveri, saqë ishte i vetmi gazetar i huaj që iu lut publikisht Edi Ramës, që vetëm për hir të mbajtjes së pushtetit, t’u thoshte JO amerikanëve për reformën në drejtësi ashtu si për armët kimike, me qëllim që të mos i prishte qejfin Ilir Metës, pasi ai do ta rrëzonte nga pushteti. Këtë qëndrim mund ta kishte zili edhe socialistja e Beratit që bënte thirrje Nanos e Metës të mos zemëroheshin, sepse ata, socialistët, nuk donin as drita e as ujë, por vetëm t’i shihnin të bashkuar për të qëndruar në pushtet

Për t’i shërbyer kësaj qeverie, për të cilën Bollino shqetësohet aq shumë se mos bie, ai, ashtu si shefi i qeverisë, ka marrë përsipër ta ndajë shoqërinë në dy fronte: ata që nuk e duan reformën dhe që janë kundër aleatëve strategjikë e SHBA e BE, apo si anti –perëndimorë dhe ata që po bëjnë gjithçka që kjo reformë të miratohet dhe që e vënë veten përkrah aleatëve, që flasin në emër të tyre dhe në emër të popullit dhe që po hiqen si pro- perëndimorë.

Në debatin për reformën në drejtësi, duhet thënë se shqetësimi kryesor publik ka qenë për tentativat e vazhdueshme të qeverisë për të kapur sistemin. Ky shqetësim, i përfaqësuar politikisht nga opozita dhe disa muaj më vonë edhe nga LSI, bëri që pjesët thelbësore të draftit Rama të binin poshtë dhe që Rama të tërhiqej edhe nga ato kufinj të bojatisur me të kuq, që ai ishte përbetuar se nuk do shkeleshin për asnjë arsye.

Ata që kanë kërkuar që reforma të mos bëhej me nxitim, e kanë shprehur qartë arsyen: Kjo është një reformë thelbësore dhe duhet bërë me kujdes, e jo me vrullin revolucionar që fshihte qëllime të ndryshme nga ai i votimit me çdo kusht.

Deri tani asnjë media apo gazetar nuk ka qenë kundër reformës së drejtësisë. Por në media ka patur zëra e shkrime që shprehnin shqetësime për mënyrën se si donte ta realizonte atë Edi Rama, sipas mënyrës së tij, pa konsensus e pa gjithëpërfshirje. Pra, pa pyetur askënd veç ekspertëve të tij.

Ditën që reforma u miratua, askush nuk shkruajti kundër saj, askush nuk foli për një reformë të keqe, që do t’i sillte të këqija vendit. Madje edhe përpara se të miratohej, edhe gazetarët skeptikë ndaj qëllimeve të vërteta të Ramës, janë shprehur publikisht se do të ishte më mirë një reformë që mund të çalonte pak, sesa të vazhdohej me këtë sistem, ku drejtësi ka vetëm për të pasurit e pushtetarët. Konsensusi u përshëndet në bllok.

Kur reforma u miratua, shumica e mediave dhe gazetarëve të pavarur shkruajtën po ashtu për mënyrën se si u arrit votimi; se si Ilir Meta e Lulzim Basha ia morën Edi Ramës lavdinë nga duart; se si urimet nga ndërkombëtarët u vinin vetëm atyre; se si Edi Rama mbeti pa fjalë për ditë me radhë dhe shpiku “të hënën ditë pushimi për administratën për të festuar miratimin e reformës”; se si u shfaq ai i vetmuar dhe aspak entuziast duke dalë nga parlamenti pas 140 votave; se si i dështoi plani për ta miratuar reforëm me vota të “blera”; si dështoi në përjashtimin e opozitës; si u rrëzua përballë presionit të hapur të aleatit Ilir Meta.

Shkruajtën për orët që i rrezikuan karrigen e kryeministrit e po vazhdojnë të shkruajnë për tentativën e tij për të krijuar një konflikt të ri, me qëllimin e vetëm për të zhvendosur debatin nga problemet reale që ka vendi dhe për t’u hequr meritat opozitës dhe LSI-së, duke shkuar deri aty sa të thotë se ata që e kundështonin reformën i dhanë votat vetëm pasi ai kishte siguruar 94 votat.

Ndryshe nga sa thotë Bollino, asnjë gazetar e media nuk kërkoi që reforma të mos bëhej. Ndryshe nga sa shkruan gazeta e tij në shkrimin “Gazetarët mes ndërgjegjes civile e detyrimit korporativ”, gazetarët zgjodhën ndërgjegjen për t’i vënë shqetësimet kryesore në radhë të parë dhe për të kontrolluar qëllimet e vërteta të pushtetit dhe nuk zgjodhën t’i shkonin pas detyrimit për të mbrojtur me çdo kusht korporatën e pushtetit, nga i cili Bollino është akuzuar nominalisht se ka përfituar.