CAS, Serbia kërcënon përsëri Kosovën

25.01.2017 17:47:09

Humbja e radhës e Federatës së Futbollit të Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, ka një arsyetim.

Sipas tyre, vendimi i CAS-it, për të refuzuar ankesën e tyre, duke konfirmuar anëtarësimin e Kosovës në UEFA si të drejtë, është politik dhe jo ligjor.

“Pa dashur të hyjë më tej në gjykimin e pritshëm të Gjykatës së Arbitrazhit për Sport, ne vetëm duam të theksojmë zhgënjimin në vendimin që nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, dhe me futbollin, por për fat të keq vetëm me politikën. Kjo, sepse ky ishte vendim politik, Federata e Serbisë nuk është e befasuar. FFS do të vazhdojë të luftojë të vërtetën dhe drejtësinë në përputhje me të gjitha mundësitë që ka”, thuhet në komunikatën e Federatës së Futbollit të Serbisë, raporton Gazeta Olle.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, të martën tha se ankesa e Serbisë ishte e padrejtë, sepse Kombet e Bashkuara nuk njohin shtete, derisa Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur shumica e anëtarëve të OKB-s.

“Duke shpjeguar vendimin, CAS pranoi se FFS nuk kishte asnjë arsye për t’u ankuar, kur ne në mënyrë të qartë vumë në dukje faktin se UEFA ka shkelur statutin e vet, përkatësisht nenin 5.1, ku për t’u anëtarësuar në UEFA duhet që shteti i asaj federate të jetë në Kombet e Bashkuara”, thuhet më tej në komunikatën e Federatës Serbe.