Cassano kundër Wanda-s: Llogaritë bëjini në qershor!

26.02.2019 13:09:04

Antonio Cassano ishte i ftuar në emisionin sportiv “Tiki Taka” në Mediaset, ku pjesë e panelit është edhe bashkëshortja menaxhere e Icardit, Wanda Nara.

Ish sulmuesi i Interit, por edhe i shumë skuadrave të tjera në Itali, ka dhënë mendimin e tij për çështjen , duke këshilluar që Icardi të kthehet në skuadër, të kërkojë ndjesë dhe të luajë e të bëjë gola.

Gjatë bisedës, ai ka hasur në disa raste në kundërshtitë e bashkëshortes së ish kapitenit të Interit, që këmbëngulte se sulmuesi shkon në skuadër, pasi atje kryen seancat e fizioterapisë, por nuk ka arsye pse të kërkojë ndjesë.

“Unë kam bërë shumë prapësira në karrierën time, ndaj mendoj se duhet të më dëgjoni në këtë rast. Icardi duhet të shkojë në dhomat e zhveshjes, të sqarohet me atë që ka problemin, qoftë ky trajneri apo ndonjë shok i skuadrës dhe më pas të zbresë në fushë dhe të bëjë gola. Në qershor pastaj bëhen llogaritë, nëse do të qëndrojë, apo do të largohet por tani duhet të luajë dhe të shënojë, pasi pa golat e Icardit, Interi ka vështirësi. Për më tepër, edhe vetë sulmuesi duhet të luajë e të shënojë, pasi rrit vlerën e tij në treg”, tha ish sulmuesi i Italisë.

Antonio Cassano është një ish futbollist mjaft i njohur për prapësitë e tij në skuadra të ndryshme, ku në jo pak raste është konfliktuar me trajnerët e tij dhe është përjashtuar ose larguar në sezonin e ardhshëm të merkatos.