Çavushoglu: Turqia pret nga BE që sa më parë të marrë liberalizimin e vizave

17.04.2017 15:52:20

Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavushoglu, deklaroi se vendi i tij pret nga BE-ja që sa më parë të marrin liberalizimin e vizave, në të kundërtën paralajmëroi se Turqia do të jetë e detyruar të shpërfillë barrën e rëndë që ka marrë përsipër në Detin Egje.

Ai në një intervistë për gazetën e Arabisë Saudite “El-Shar el-Avsat”, ka theksuar se Turqia ka traditë historike shtetërore dhe demokratike, duke shtuar se populli i Turqisë gjithnjë ka mbrojtur të drejtat demokratike.

“Turqia është anëtare aktive e NATO-s, G-20-tës, Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) dhe thuajse e të gjitha organizatave evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë ndjek politikë të jashtme shumëkahëshe. Politika e jashtme ndërmarrëse dhe humanitare e Turqisë, merret me çështjet rajonale dhe globale në mënyrë aktive dhe parimore”, ka thënë Çavushoglu.

Shefi i diplomacisë turke më tej ka thënë se ndihen të dëshpëruar nga reagimet e shteteve të BE-së pas tentativës për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik, duke shtuar se disa shtete të BE-së kanë zbatuar standarde të dyfishta.

“Anëtarësimi në BE vazhdon të jetë prioritet për ne”, ka thënë Çavushoglu, duke shtuar se barrierat politike gjatë procesit të anëtarësimit në BE janë në mesin e faktorëve që i kanë vështirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së.

Ai ka rikujtuar se Turqia ka drejtuar procesin e liberalizimit të vizave që nga vitit 2013 dhe ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret, dhe se e njëjta është konfirmuar edhe në raportin e Komisionit Evropian në maj të vitit 2016.