CD-ja e gjetur te Zeqirja Qazimi provë në gjykimin e imamëve

06.02.2018 20:46:47

Në gjykimin e katër imamëve si dhe Fuad Ramiqit të cilët po akuzohen për vepra penale që kanë të bëjnë me terrorizëm si dhe thirrje për rezistencë, u vendos që të administrohet si provë një CD e cila është gjetur te Zeqirja Qazimi.

CD-ja përmban një video-incizm nga një ligjëratë e imamit Idriz Bilibani.

Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” në Gjilan, ka qenë i akuzuar për rekrutim në terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes.

Ai është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj, e më pas edhe Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin.

Prokurori special Haki Gecaj ishte ai që e bëri propozimin për këtë provë me pretendimin se me anë të saj do të mund të vërtetohej fakti se pjesëmarrësit në atë ligjëratë janë persona të cilët janë të gjykuar me aktgjykim të plotfuqishme dhe se të njëjtit është e mundshme të kenë marrë pjesë edhe në luftën e Sirisë.

Kjo provë u kundërshtua nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve, madje vetë mbrojtësi i Idriz Bilibanit, Hajrip Krasniqi deklaroi se kjo provë nuk u është dorëzuar së bashku me shkresat e lëndës pas ngritjes së aktakuzës si dhe nuk është propozuar as gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“E kemi kundërshtuar administrimin e kësaj prove, ngase kjo CD nuk ka qenë e dorëzuar në shkresat e lëndës në momentin e dorëzimit të aktakuzës dhe se e njëjta nuk na është dhënë dhe propozuar në seancën paraprake për të cilën ne nuk dimë nëse trupi gjykues e ka aprovuar një propozim të tillë që të identifikohen personat të cilët i ka apostrofuar prokuroria, andaj kërkoj që të na rikujtoni se në cilin procesverbal kemi marrë vendim dhe pranuar administrimin e kësaj prove”, tha avokati Hajrip Krasniqi, raporton Kallxo.com.

Më pas prokurori i kujtoi avokatit se kjo kërkesë ishte bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor të datës 13 dhjetor të vitit të kaluar ku edhe pretendonte se e ka bërë propozimin në lidhje me administrimin e kësaj prove.

Kurse avokati Hajrip Krasniqi kërkoi nga prokurori që të deklaronte se nga ishte siguruar ai video-incizim si dhe nga kush është urdhëruar video-incizimi i një CD-je të tillë.

Madje avokati kërkoi nga prokurori që të bëhej identifikimi i të gjithë pjesëmarrësve në atë video-incizim pasi që sipas tij përpos personave që mund të kenë marrë pjesë në luftërat në Siri në atë ligjëratë mund të kenë marrë pjesë edhe persona që kanë bërë vepra të mira më pas.

Ndërsa prokurori special tha se identifikimin e këtyre personave që shihen në video-incizim që kanë qenë pjesëmarrës në këtë ligjëratë do ta bëjnë zyrtarët policorë Premtim Mustafa e Nexhdet Haxhaj me arsyetimin se këta zyrtarë] i njohin personat që kanë marrë pjesë në luftën në Siri, pasi që i kanë kryer hetimet në lidhje me këto raste.

“Kur e kam propozuar këtë video-incizim kam propozu që të thirren në këtë shqyrtim gjyqësor dy zyrtarët e policisë, Premtim Mustafa dhe Nexhdet Haxhaj të cilët i kanë njohur personalisht këta persona për arsye sepse ata i kanë pasur në rastet e tyre që kanë punuar dhe në cilat raste i kanë zbatuar hetimet”, tha prokurori duke shtuar më tej se video-incizimi është provë e mbështetshme pasi që i dihet origjina.

“Prokurori ka nxjerrë vendim për analizimin e pajisjeve elektronike të gjetura te i pandehuri Zeqirja Qazimi në të cilin video-incizim është gjetur ligjërata e Idriz Bilibanit, andaj konsideroj se kjo provë është e pranueshme dhe e mbështetshme, ngase i ndihet origjina e saj”, shtoi prokuroi Gecaj.

Pas shumë e shumë replikash në mes të prokurorit special si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Idriz Bilibani, trupi gjykues mori aktvendim që të aprovohet propozimi i prokurorit që si provë të administrohet edhe ky video-incizim.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 28 mars me ç’rast në cilësinë e dëshmitarëve do të dëgjohen dy zyrtarët policorë Premtim Mustafa e Nexhdet Haxhaj.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.