Ceka: Faleminderit për protestën, jemi duke punuar të zgjedhim problemin e deponisë

20.07.2016 13:24:42

Është prononcuar edhe Komuna e Tetovës në lidhje me protestën e sotme rreth deponisë së egër në hyrje të Tetovës. Drejtori NPK-së Xhelal Ceka ka thënë se janë duke kërkuar zgjidhje dhe falemnderon qytetarët për protestën që e vlerëson si impuls.

“Falënderoj qytetarët për këtë protestë, sepse kjo do të jetë një impuls shumë pozitiv për ne, që të ndikojmë në institucionet relevante për të zhbllokuar këtë rrugë të cilët neve si ndërmarrje na sjellin shumë telashe”, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK).

“Personalisht vet kam kërkuar nga të gjitha institucionet relevante duke përfshirë edhe Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që të zgjidhet ky problem. Ne punojmë në mënyrë shumë paralele në zgjidhjen afatshkurte dhe afatgjate që të gjendet një zgjidhje. Në planin afatgjatë Komuna e Tetovës është e vetmja Komunë që ka marrë leje për selektim të mbeturinave, ndërkaq në atë afatshkurt ne jemi në kërkim të lokacioneve të mundshme për zgjidhjen e këtij problemi që shpresoj shumë shkurt do të zgjidhet”, shtoi Ceka.