Çelaj: Komuna e Prishtinës me keqqeverisje të paprë

04.06.2017 22:35:56

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe strukturat e saj, kanë vazhduar takimet intensive me qytetarë të secilit cep të Prishtinës, duke shpalosur para tyre platformën qeverisëse të Fillimit të Ri, si alternativa e vetme serioze në zgjedhjet e 11 qershorit.

Kryetari i Degës së PDK-së në kryeqytet, Lirak Çelaj, i shoqëruar nga kandidati për deputetë, Shemsi Veseli, ka bashkëbiseduar me banorë të Hajvalisë, duke u kërkuar atyre që të dielën e ardhshme t’i ndëshkojnë me votë ata që për 13 vjet nuk i dhanë gjë Prishtinës, por vetëm i morën asaj, si dhe të tjerëve, që në katër vjetët e fundit tradhtuan besimin e prishtinasve për ndryshim dhe zhvillim.

Çelaj tha se Prishtina është shembulli më i mirë se si nuk duhet qeverisur. Ai shtoi se të dy alternativat rivale të PDK-së dhe Fillimit të Ri, të cilat po u serviren qytetarëve me demagogji, janë modele qeverisëse, pasojat e të cilave më shumë se askush tjetër i kanë bartur dhe po i bartin edhe sot mbi supe, qytetarët e Prishtinës.

“Më 2013 ju ndëshkuat me votë keqqeverisjen, abuzimin, familjarizmin. Njëkohësisht, votuat me shpresën për ndryshime pozitive, për shërbime më të mira, për rrugë dhe kanalizime, për parqe dhe hapësira rekreative, për vende të reja pune dhe perspektivë më të mirë. Ju votuat me shpresën se Prishtina do t’i ngajë një kryeqyteti. Fatkeqësisht, ky besim i juaji u tradhtua dhe kjo shpresë juaja u thye. Prandaj, këto modele nuk mund të marrin më besimin e kryeqytetasve. Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni i saj është e vetmja zgjidhje dhe mundësi për Prishtinës dhe gjithë Kosovën”, theksoi Çelaj.

Kandidati për deputet i PDK-së, Shemsi Veseli, i njohur për zërin e tij kritik në Asamblenë Komunale për keqqeverisjet në Prishtinë, tha se fitorja e PDK-së më 11 qershor është e padiskutueshme dhe se pas kësaj date, Kosova do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit të saj. Ai ftoi kryeqytetasit që t’i bashkohen kësaj fitoreje.

“Prishtina nuk mund të votojë ndryshe frymës e cila tashmë është shtrirë në gjithë Kosovën, frymës për një epokë të re për vendin dhe qytetarët e saj, e brumosur brenda platformës së Fillimit të Ri dhe ideatorit e bartësit të saj, Kadri Veseli. Më 11 qershor, Prishtina do të bëhet një me Kosovën, duke iu bashkuar fitores absolute të koalicionit të madh”, theksoi Veseli.