Çelaj: Ndoshta VV nuk e kreu sulmin, por ajo e krijoi klimën për sulme

28.08.2017 19:31:46

Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Lirak Çelaj ka komentuar sulmin ndaj bashkëshortes së ministrit në ikje, Blerand Stavileci, duke thënë se akuzat e PDK-së se këtë sulm e kanë kryer “kriminelët e Lëvizjes Vetëvendosje” ka ardhur duke u bazuar në porosinë që zonja Stavileci ka marrë në momentin e sulmit.

Çelaj foli duke iu referuar nënkryetarit të PDK-së, Uran Ismajli, i cili tha se sulmuesit e zonjës Stavileci i kanë thënë asaj që bashkëshorti i saj ta mbyllë gojën kundër Lëvizjes Vetëvendosje, saktësisht kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ta zëmë se nuk e ka bërë Vetëvendsje por ajo po e krijon klimën që dikush të sulmohet. E kanë instaluar këtë kulturë të marrjes së drejtësisë në duart e veta”, ka thënë Celaj në InfoBox në RTV Dukagjini.

Më herët PDK-ja përmes një konference për media akuzoi VV-në se ka kryer ose porositur sulmin ndaj zonjës Stavileci, teksa VV-ja tha se këto deklarata që nxjerrin kaq shpejt autorët e sulmit lënë hapësirë për dyshime se vet PDK-ja e ka inskenuar rrahjen e saj.