Çështja “Cakaj”, Kurti: Baton Haxhiu i lidhur me serbët, ka fuqi mbi Edi Ramën

05.02.2019 12:49:17

Gent Cakaj, i deleguari si ministër i Jashtëm nga kryeministri Edi Rama ka qenë një ish-anëtar i lëvizjes Vetëvendosja në Kosovës dhe duke komentuar debatin e krijuar lidhur me përzgjedhjen e tij për të drejtuar diplomacinë shqiptare, Albin Kurti ka thënë se ai është i zgjedhur i Baton Haxhiut me mbështetje serbe.

Kurti ka hedhur akuza të forta ndaj gazetarit Baton Haxhiu në studion e “A Show”, madje duke thënë se ka lidhje me eksponentë të caktuar të Shërbimit Shtetëror të Serbisë, dhe për më tepër ka ndikim të madh në Tiranë, me më shumë fuqi si kryeministri Rama.

Adi Krasta: Pozicioni i Ramës në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë? 

Albin Kurti: Ndërmjet Thaçit dhe Vuçiçit ndërmjetësues është Baton Haxhiu, i cili dikur ishte ndërmjetësues mes Mahmut Bakallit dhe shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror Ivica Stanishiç. Ky person ka një fuqi edhe mbi kryeministrin e Shqipërisë, e të them të drejtën nuk e di pse. Më është dukur enigmë, por kur një enigmë zgjatet shumë bëhet mister. Ky person kaq i urryer në Kosvë të ketë ndikim kaq të madh në Kosovë, që të vinte puna që nëpërmjet Kosovës të kishte ndikim Beogradi në Tiranë, këtë kurrë se kisha menduar.

Adi Krasta: Ti nuk e ke përmenduar vendosjen e zotit Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare, nuk të kam dëgjuar të merresh me të, pse jo?

Albin Kurti: Ne e kemi shpjeguar me një komunikatë qëndrimin mbi një ish-anëtarin e partisë sonë. Ai nuk është ministër as i Kosovës ai i Shqipërisë, as ministër i Edi Ramës. Ai është ministër i Baton Haxhiut. Problem nuk është Gent Cakaj, por Baton Haxhiu, për qeverisjen problem është Ivica Stanishiç pjesë e shërbimeve sekrete të Beogradit.