Çështja e Çamërisë si pjesë e çështjes shqiptare dhe roli i shtetit shqiptar dhe i Kosovës për zgjidhjen e saj

05.11.2016 17:03:55

Nga Rexhep Kastrati

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kocias, për të cilin thuhet se është arvanitas, në reagimin e tij lidhur me debatet për çështjen e Çamërisë, tha se Greqia pranon vetëm variantin e saj të historisë. Dhe ky është një hap i madh që bëhet në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Çamërisë, pasi që për herë të parë publikisht lë për të kuptuar se Greqia pranon se ka edhe variante të tjera të historisë. Dhe kjo është shumë dëmethënëse, për faktin se tash është hapur rruga që një ditë, Greqia të jetë e detyruar të bisedojë për të gjitha variantet, e që do të thotë se do të jetë e detyruar të bisedojë edhe për variantin e shqiptarëve të Çamërisë, pra për variantin se ndaj tyre është bërë një gjenocid i tmerrshëm nga ana e shtetit grek, të cilëve u është konfiksuar pasuria private, pronat e ndryshme, u janë konfiskuar vendbanimet e tyre autoktone. Në anën tjetër, edhe deklarata e komisionerit Hahn, në bazë të të cilës çështja e Çamërisë është çështje e hapur, i ka dhënë dimension ndërkombëtar domosdoshmërisë së zgjidhjes së saj. Edhe Gjykata e Strasburgut ka vendosur në favor të aktpadisë së bërë në këtë Gyjkatë. Pra, janë shumë elemente që bëjnë të qartë se çështja e Çamërisë ka hyrë në fazën e zgjidhjes, kurse zgjidhja do të jetë varësisht nga zhvillimet e përgjithshme të brendshme, rajonale dhe botërore. Në gjithë këtë duhet pasur parasysh faktin se çështja e Çamërisë, si çështje e së drejtës ndërkombëtare, ka dimensionin e saj shumëplanësh, dhe lidhet me shumë konventa dhe dokumente ndërkombëtare, por megjithatë roli i shtetit shqiptar është shumë i madh. Nëse do të mund të shprehem: çështja e Çamërisë është çështje e shtetit shqiptar, aq sa çështja e shqiptarëve në territoret e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, është çështje e shtetit të Kosovës. Është kështu për faktin se shteti shqiptar ka gjithë të drejtën dhe detyrimin për të zbatuar preambulën dhe pjesët e kushtetutës së saj që ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, kurse Kosova ka gjithë të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në territoret e tyre n shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, pasi që pozita ndërkombëtare e Kosovës dhe e shqiptarëve në territoret e tyre në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, është përcaktuar me parimet e Badinterit, përkatësisht të parimeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Zatën edhe ekzistenca e dy shteteve është përcaktuar në këtë mënyre pikërisht për shkak të këtyre parimeve, dhe është e domosdoshme derisa nuk do të përmbyllet procesi i shpërbërjes se ish-Jugosllavisë, dhe derisa Greqia nuk do të ballafaqohet me një proces që do ta detyrojë të ulet dhe të bisedojë për të gjitha variantet e historisë, pra edhe për variantin e vërtetë, të cilin shteti grek e di më mirë se të gjithë, e që është varianti gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Deri atëherë, dy shtetet, edhe shteti shqiptar, edhe shteti i Kosovës, do të ballafaqohen me sfida të shumta dhe të rënda që nga ato penguese dhe kushtëzuese për anëtarësim në organizara bdërkombëtare, e deri te destabilizimi i tyre i brendshëm. Të gjithë këto për t’u penguar forcimi dhe kondolidimi i tyre dhe i faktorit shqiptar në rajon dhe në botë, për të penguar forcimin e aleancave gjeopolitike e gjeostrategjike, e rrjedhimisht për të penguar procesin e zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare, e që do të thotë edhe ricopëtim të territoreve shqiptare në emër të bashkimit kombëtar, pra për t’u paraqitur si zgjidhje të çështjes shqiptare. Nga ana e saj, Greqia, përveç atyre që thashë më lartë, do të përpiqet që të krijojë paralelizma ndërmjet të ashtuquajturës çështje e vorioepirit dhe çështjes së shqiptarëve të Çamërisë. Prandaj, është i domosdoshëm një bashkërendim i fuqishëm ndërmjet shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, edhe për të penguar dëmtimin e njërit apo shtetit tjetër, edhe për të fuqizuar faktorin shqiptar në rajon, gjithnjë duke pasur parasysh detyrat që kanë ndaj çështjes shqiptare.