Çështja gyleniste po ndërlikohet: A e kanë kërcënuar sigurinë shtetërore të Kosovës?

31.03.2018 14:02:11

Nga Rexhep Kastrati

Në konferencën e sotme për medie, Hashim Thaçi ka deklaruar se sipas AKI-së, në rastin e gjashtë gylenistëve bëhej fjalë për rrezikim të sigurisë kombëtare, duke shpërfaqur një aspekt të ri të kësaj çështjeje.

Në fakt, janë tri momente që duhet vënë në pah, pra që duhet pasur parasysh, e të cilat ngërthejnë në vete aspekte të sigurisë në Kosovë: 1. Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane në Kosovë për shtetasit e SHBA-ve që të kenë kujdes se mund të ketë sulme terroriste me rastin e Pashkëve; 2. Theksimi i Ramush Haradinajt se këto ditë pashkësh, situata e sigurisë në Kosovë është e qetë; 3. Fillimi i adresimit të hashim Thaçit gazetarëve me situatën e sigurisë në këto ditë Pashkësh.

Pra, në këto tri momente, është e qartë se ka pasur një shqetësim për mundësinë që të kryhen sulme terroriste në Kosovë mbi baza fetare. Dhe pikërisht në këtë kontekst ndodhi çështja e gylenistëve, përkatësisht ndodhi deportimi i gjashtë prej tyre.

Nëse këta kanë rrezikuar sigurinë shtetërore, shtrohet pyetja, a mos ishin edhe këta të përfshirë në ndonjë plan, projekt apo strategji për sulme terroriste në Kosovë?

Ndonëse kundërshtar i Rexhep Taip Erdoanit, Fetullah Gyleni nuk ka qenë çdo herë i tillë, përkundrazi ka qenë mik shumë i afërt dhe bashkëpunëtor shumë i afërt i tij.

Dallimet me Rexhep Taip Erdoanin nuk kanë të bëjnë me ideologjinë e tij, me qasjen e tij fetare, por thjesht me interesa personale dhe me çështje të natyrës korruptive.

Fetullah Gylen është personalitet fetar i rëndësishëm islam, dhe ka një synim që nëpërmjet shkollës dhe frymës gyleniste, të përhapë ndikimin fetar dhe atë kulturor turk në botë.

Kolegji “Mehmet Akif” që prej vitesh operon në Kosovë, pra edhe para se Fetullah Gylen dhe Rexhep Taip Erdoan t’i prishnin marrëdhëniet më 2013, dhe ideologjia gyleniste ishte ideologji e përbashkët e të dyve.

Hakmarrja e Rexhep Taip Erdoan ndaj Fetullah Gylenit nuk ka të bëjë me çështje të lirisë e të demokracisë, por më shumë është hakmarrje për shkak se ky i fundit kishte shprush çështjen e korrupsionit të të parit.

Ai që quhet tentim për grushtshtet, ende nuk është sqaruarm dhe siç besojnë edhe SHBA-të, Fetullah Gylen mund të mos ketë të bëjë fare me të.

Në këtë kontekst, veprimtaria e “Feto”, dhe gylenistëve në botë, e sidomos në Kosovë, duhet të përcillet me vëmendje, dhe të shihet nëse me të vërtetë, gjashtë gylenistët dhe gylenistët e tjerë që janë në Kosovë, janë të përfshirë në forma të ndryshme të dhunshme, përkatësisht terroriste.