Çfarë dihet për mpiksjet e gjakut që mendohet se janë të lidhura me vaksinën e AstraZeneca

01.04.2021 11:31:10

Zyrtarët gjermanë kanë vendosur të kufizojnë përdorimin e vaksinës së coronavirusit të AstraZenecas për të mos iu dhënë njerëzve nën moshën 60 vjeç pasi pati njoftime për disa raste të tjera mpiksje të pazakonta të gjakut tek një numër i vogël njerëzish që kanë marrë vaksinat.

Pas këtij vendimi, Rregullatori Evropian i Barnave përsëriti të mërkurën se “nuk ka asnjë provë që do të mbështeste kufizimin e përdorimit të kësaj vaksine në asnjë grup popullate”, megjithëse një ekspert tha se u raportuan më shumë raste mpiksjeje nga sa pritej, dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) vazhdon të hetojë.

Më herët në mars, mbi 10 vende, përfshirë Gjermaninë, pezulluan përdorimin e AstraZenecas për çështjen e mpiksjes së gjakut.

Shumica e tyre rifilloi – disa me kufizime të ngjashme me ato që Gjermania vendosi të martën – pasi EMA tha se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet e mosvaksinimit.

Por debati në disa vende se kush mund të marrë vaksinën ka ngritur shqetësime se besueshmëria e saj mund të jetë dëmtuar përgjithmonë. T’i hedhim një vështrim asaj që dimë dhe asaj që nuk dimë për këtë vaksinë.

ÇFARË NDODHI NË GJERMANI?

Më herët këtë javë, rregullatori mjekësor i Gjermanisë publikoi të dhëna të reja që tregojnë një rritje në rastet e njoftuara të pazakonta të mpiksjes së gjakut tek disa njerëz që kohët e fundit morën një dozë të vaksinës AstraZeneca.

Në përgjigje, Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn dhe zyrtarët shtetërorë ranë dakord që t’ia japin vaksinën vetëm personave të moshës 60 vjeç e sipër, përveçse nëse ata janë në rrezik të lartë për ndërlikime serioze nga COVID-19 dhe kanë rënë dakord të marrin vaksinën.