Çfarë mendon zoti Thaçi për” Jugosllavinë e Re”?!

27.08.2017 13:25:15

Enver Bytyçi

Në fakt dje në Durrës nuk u fol për “Jugosllavinë e Re”. As Johannes Hahn, as nikoqiri, zoti kryeministër i Shqipërisë, as mysafirët e tjerë nuk folën për “Jugosllavi të Re”. Këtë term e ka përdorur para shumë javësh , atëherë kryeministër e sot presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç. Termi i zakonshëm është “Zonë ekonomike e lirë”, ose “Tregu i Përbashkët Ballkanik”! Por sido që të quhet, shqiptarët janë kurioz të dijnë cili është qëndrimi i presidentit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi për këtë bashkësi të re shtetesh ballkanike? Ndonëse kryeministri i Kosovës, sipas lajmeve, ka shfaqur rezerva, presidenti i vendit ende nuk ka folur rreth kësaj teme. Nga njëra anë ngutja nuk duhet të jetë stili i qëndrimeve dhe veprimeve të një shtetari dhe në këtë kuptim heshtja e derisotme e tij mund të jetë e pranuar. Por sa kohë do të heshtë zoti Thaçi?! Dhe më e rëndësishmja: A e sheh ai si të dëmshme për Kosovën një marrëveshje dhe një marrëdhënie të tillë midis shteteve të Ballkanit Perendimor?! Të gjithë të tjerët, sidomos serbët dhe shqiptari Edi Rama, bëjnë të pamundurrën për ta promovuar një iniciativë të tillë sa serbe aq europiane. Nuk janë kaq entuziastë malazezët e boshnjakët. Skeptikë dhe pesimistë janë shqiptarët e Kosovës dhe institucionet e saj. Skëptikë janë shumica e shqiptarëve në Shqipëri. Por është tjetër të shohësh skepticizmin e njerëzve që nuk kanë akses në vendimmarrje dhe tjetër është të njohësh qëndrimin politik të liderëve tanë, përgjegjës për fatet e kombit. Zoti Thaçi është njëri nga këta liderë me përgjegjësi. Ai duhet të flasë, madje qartë, pa doreza, jo me mendjen e Baton Haxhiut e të Rexhep Qosjes, as me qasjen e Edi Ramës, por në interes të Kosovës e të kombit shqiptar. Më e pakta që zoti Thaçi, qeveria, parlamenti duhet të kërkojnë ka të bëjë me njohjen e Kosovës shtet. Asnjë organizim ndërshtetëror nuk është i pranueshëm pa njohur organizimin shtetëror të vendeve anëtare të një unioni të caktuar! Imagjinoni të ishte krijuar Bashkimi Europian nga vende e shtete që kontestojnë njëri-tjetrin! Katastrofë do të ishte krijuar, luftë e re do të kishte plas në kontinentin e vjetër! Si mund të mendohet e imagjinohet një Ballkan perendimor me treg të përbashkët, aq më shumë një Jugosllavi e Re me Kosovën e Shqipërinë brenda saj, kur Kosova ende nuk njihet nga dy shtete (Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina)?! A ka ndonjë njeri normal në botë, përfshirë dhe iniciatorët e kësaj nisme në Europë e në Beograd, që beson në një bashkësi shtetesh të padefinuara si shtete?! Si mund të besohet në një bashkësi të tillë, lideri i së cilës, Serbia, nuk pranon të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara për Kosovën?! Si mund të flasësh për krijimin e një bashkësie shtetesh e në të njëjtën kohë, në të njëjtin samit të thuash se “Ne nuk e njohim Kosovën”, siç përsëriti kryeministrja e dashur e Serbisë për kryeministrin e Shqipërisë?! Vetëm ëndërrimtarët e bashkim-vëllazërimit shqiptaro-serb, të cilët janë të gatshëm të bëjnë therror viktimizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe kontributin e NATO-s për ç;irimin e saj, mund të besojnë në organizime të tilla! Por unë, ti, ata, ato, i gjithë opinion,i jemi të interesuar më së shumti të njohim e të dijmë qëndrimin e presidentit Thaçi! Nëse ka luftuar ai dhe bashkëluftëratër e tij për “Ballkaniadën” e Demaçit e të Qosjes apo për lirinë e Kosovës dhe çlirimin e saj prej Serbisë! Nëse qëllimi e ideali i luftës ishte liria, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës në çdo centimetër të saj, apo pazaret me Beogradin. Mbrëmë kam shpërndarë një status me një udhëzim të Pjetër Arbnorit sesi duhet të sillesh me serbët para se të bisedosh me ta. E mora nga libri im, “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, me qëllim që t’u kujtoj liderëve shqiptarë se udhëzuesit nuk mungojnë, madje nga njerëz, të cilët kanë qenë dhe mbeten emblema të kombit shqiptar, si Pjetër Arbnori. Thjesht lexoni dhe përmbajuni asaj. Pastaj nuk do të dilni të humbur! Duhet besuar se zoti Thaçi e ka një përgjigje! Po presim!