Çfarë mesazhe solli sot në Kosovë emisari i Trumpit?

01.11.2019 22:26:04

I dërguari i Posaqëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer sot ka qëndruar për vizitë në Kosovë ku është takuar me krerët politikë në vend.

Palmer është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takim në të cilin është diskutuar për zgjedhjet e fundit, situatën politike, dialogun Kosovë – Serbi dhe integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB, shkruan lajmi.net.

Të dy, Thaçi dhe Palmer pas takimit janë deklaruar se Kosova është demokraci e re e suksesshme dhe meriton anëtarësim në organizatat më të mëdha ndërkombëtare.

Palmer ka takuar edhe kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli me të cilin kanë diskutuar për situatën politike dhe zhvillimet në Kosovë.

Gjithashtu, i dërguari i Posaqëm i Trump, ka mbajtur takim edhe me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësues të Listës Serbe.

Në lidhje me vizitën e Palmer në Kosovë lajmi.net ka kontaktuar njohësit e çështjeve politike, Rasim Alija dhe Shkodran Ramadani për t’i diskutuar mesazhet që emisari i Trump i solli në Kosovë.

Alija për lajmi.net është shprehur se kjo vizitë rikonfirmon përfshierjen e SHBA-ve në dialogun Kosovë – Serbi dhe për të shtyrë përpara dialogun midis dy vendeve.

“Faktikisht, krejt çka është vërejtur dhe rikonfirmuar është tashmë involvimi i SHBA-ve direkt në dialogun Kosovë – Serbi. Është mesazh Bashkimit Evropian për mosbërjen e mjaftueshme në aspektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.Gjithashtu edhe një sinjal që marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më shpejtë, pa përmendur afate”, tha Alija për lajmi.net.

Më tutje, ai tha se Palmer e sheh Kurtin si partner të SHBA-ve dhe llogarit në të për dialogun Kosovë – Serbi.

“Dhe ajo që u vërejt, që Kurtin si pjesë e qeverisjes së ardhshme e sheh si partner të SHBA-ve, të Departamentit dhe mbi të gjitha llogarit në të edhe për procesin e dialogut, pra dallimi është që sot e ka rikonfirmuar edhe takimin me z.Kurti në Shkup”, tha Alija.

Në anën tjetër, analisti Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se kjo vizitë ndodh në vazhdimësinë e përpjekjeve të SHBA-ve për zhbllokimin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Vizita e Palmerit është një akt në vijimësinë e përpjekjeve të SHBA-ve për të zhbllokaur ngërqin midis Kosovës dhe Serbisë dhe për ta bërë të qartë kërkesën dhe planin e tyre për dialogun midis këtyre dy shteteve”, tha Ramadani për lajmi.net.

Ramadani gjithashtu tha se SHBA-të po përpiqen të krijojnë ambient konstruktiv për vazhdimin e dialogut.

“Ata besoj se do ta bëjnë të qartë se taksa është pengesë dhe duhet të hiqet që të krijohet ambient më konstruktiv dhe t’i jepet shancë dialogut që mund të prodhojë marrëveshje të qëndrueshme midis dy vendeve”, tha Ramadani.

Sipas Ramadanit, mungesa e Kurtit sot në Kosovë është përpjekje e tij për të ikur nga përgjegjësia dhe ka hedhur dyshime mbi pritshmëritë që SHBA-të kanë për të si kryeministër.

“Mungesa e Kurtit sot në Kosovë, pikërisht në ditën kur Palmer vjen në Kosovë, nuk është lajm i mirë, për shkak se është përpjekje për ikje nga përgjegjësia. Pra kryeministri në ardhje nuk është sot në Kosovë, dhe Kosova mbetet në pozicion jo të mirë. SHBA-të presin dhe llogarisin që Albin Kurti është moderuar deri në atë masë që nuk është pengesë në dialogun Kosovë – Serbi dhe këto pritshmëri se di sa janë të bazuara sepse ende nuk dihet nëse Kurti ka ndryshuar substancialisht ose në nivel kozmetik”, tha Ramadani për lajmi.net.

Më tutje, Shkodrani nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që Kurti mund të ngrisë pengesa për çështjen e dialogut.

“Kurti edhe më herët nuk ka dhënë shumë shpresë pas takimeve me Kosnett dhe Grenell duke thënë se më tepër sesa afatet e dialogut më e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes, kështu që mund të ketë pengesa në gjetjen e një gjuhe të përbashkët”, tha Ramadani.

Palmer sot në vizitën e tij në Kosovë nuk e ka gjetur në shtëpi pretendentin kryesor për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin me të cilin është takuar në Shkup para disa ditëve.

Megjithatë, ai është deklaruar se pret bashkëpunim me Albin Kurtin pasi të formohet qeveria.