Ch. League do të mësojë dy çerekfinalistet e tjera

13.03.2017 21:32:18

Uefa Champions League është gati të mësojë dy skuadra të tjera që do të jenë pjesë e fazës cerekfinale të këtij edicioni. Këtë të Martë luhen sfidat e kthimit të cifteve Juventus-Porto dhe Leicester-Sevilla. Dy takime emocionuese që pritet të zbulojnë dy ekipet e tjera që do ti bashkohen, Bayern Mynich, Realit të Madridit, Barcelonës dhe Borussias së Dortmundit në ruandin e 8-të më të mirave. Në Juventus-Porto bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit janë favoritët e mëdhenj për tu kualifikuar për më tej. Në Juventus Stadium kampionët e Italisë do të kërkojnë të mbrojnë me fanatizëm, avantazhin 2-0 të ndeshjes së parë dhe do të synojnë në një farë mënyre të hakmerren ndaj Portos për atë elimimin surprizë që i shkaktoi një tjetër skuadre italiane në play-offin e Champions-it, pikërisht, Romës së Luciano Spalletit.

Kalimi i Juventusit në cerekfinale parashikohet një mision i thjeshtë pasi duket shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që Porto të rikuperojë dy gola disavantazh në një fortesë të vërtetë sic është Juventus Stadium për skuadrën piemonteze. Sfida më interesante e mbrëmjes dhe me më shumë interes luhet në King Power Stadium aty ku Leicester City do të kërkojë të vazhdojë ëndrrën Champions. Dhelprat duhet të përmbysin, humbjen 2-1 të ndeshjes së parë që pësuan në Andaluzi. Me largimin e Claudio Rainieri-t, Leicesteri ka rigjetur ritmin në Premier League duke iu larguar disi fundit të renditjes, ndërkohë që Sevilla në krahun tjetër nuk po kalon të mirë në La Liga pasi në dy ndeshjet e fundit ka regjistruar 2 barazime ndaj dy ekipeve modeste të ardhura nga Segunda Division si Alaves dhe Leganes. Gjithsesi fituesit e 3 edicioneve të fundit të Europa League përvec avantazhit, 2-1 të ndeshjes së parë kanë në anën e tyre edhe eksperiencën dhe jo më kot Sevilla është favorite për tu kualifikuar në cerekfinale.