“Charlie Hebdo” godet përsëri: Avioni rus rrëzohet, ushtari këndon (Foto)

28.12.2016 21:38:56

E përjavshmja satirike “Charlie Hebdo” ka publikuar një karikaturë në lidhje me rrëzimin e aeroplanit rus Tu-154.

Karikatura tregon se teksa avioni rrëzohet një ushtar këndon “Aaa”. “Repertori i korit të Ushtrisë së Kuqe …”, shkruan në karikaturë.

Këtë karikaturë e kanë kritikuar përdoruesit e rrjeteve sociale, transmeton lajmi.net.

“A është kjo qesharake? A nuk ekziston më mëshira dhe humanizmi në njerëz?”, ka shkruar një përdorues i Twitter.

Aeroplani i cili po fluturonte nga Soçi për në një bazë ushtarake siriane u rrëzua më 25 dhjetor mbi Detin e Zi. Pjesët e avionit u gjetën në det 1.5 kilometra larg nga bregu, ndërsa në aeroplan ishin 92 persona.

Satirikja franceze “Charlie Hebdo” u bë e njohur në mbarë botën pas sulmit terrorist në redaksi më 7 janar 2015. Nga ky sulm mbetën të vrarë 12 njerëz duke përfshirë dy policë. U mësua se shkaku i këtij sulmi ishte publikimi i karikaturave provokuese të profetit Muhamed.