Chelsea, objektivi kryesor në merkato është Vidal

30.12.2016 18:36:10

“Nëse do të shkoja në luftë do të merrja me vete Antonio Conten”. Kjo është deklarata që bëri disa vite më parë Arturo Vidal duke vënë theksin në rëndësinë që ka pasur trajneri italian në rritjen e tij profesionale. Por me kalimin e viteve situata ka ndryshuar dhe është Conte ai që ka nisur një liftë sportive me gjigandët e Premier League dhe me siguri një luftëtar si Arturo Vidal do t’i jepte një dorë të madhe për të fituar këtë sezon. Është trajneri i Chelseat ai që ka kërkuar informacione nga Bayerni i Mynihut për një transferim të mundshëm të kilianit pasi e shikon atë si njeriun ideal për ta vendosur në mesfushë. Nainggolan kushton shumë për xhepat e Abramovich dhe Conte i ka dhënë altentativën Vidal.

Sipas mediave britanike, verdhekuqtë kërkojnë 60 milionë për kartonin e belgut dhe në këtë mënyrë, trajneri italian e ka kthyer vëmendjen nga njeriu me të cilin fitoi gjithçka në Itali. Bayerni i Mynihut e bleu kilianin për rreth 40 milionë Euro, por Vidal nuk është më njeriu i pazëvendësueshëm në mesfushën e gjermanëve, prandaj transferimi i tij në Londër është hipoteza më e mundshme. Chelsea mund të prezantohet me një ofertë prej 45 milionësh dhe takimi i parë me stafin e lojtarit është zhvilluar në 26 Dhjetor. Një bisedë e shkurtër për të hedhur bazat e marrëveshjes së mundshme që mund të finalizohet në merkaton e Janarit. Gjithsesi, fjalën e fundit për këtë transferim do ta thotë trajneri Carlo Ancelotti, i cili duhet të marrë një vendim brenda pak javësh.