Cikël poezish: MUZA IME TË “SHITOFTË” ZANA…!

12.07.2019 08:51:35

Nga Sejdi BERISHA

KOSOVË, CILA ËSHTË DHEMBJA DHE KRENARIA JOTE…!

1.
Kosovë
Numëroi plagët nëse mundesh
Edhe tradhtitë që të janë bërë
Numëroi dhembjet që t’i kanë shkaktuar
E sheh sa plagë e varrë i ke në trup
E dikton se ato edhe tash të kullojnë
Dot nuk po të shërohen…

2.
Kosovë
Cila është bukuria jote
Cila është shëmtia që ta kanë ngarkuar…

3.
Kosovë
A e di sa gjaku është brenda teje
E toka edhe tash i druan ngjyrës bojëgjake…

4.
Kosovë
Sa herë të kanë therë pas shpine
Sa herë nga lapidari janë përpjekur të të zbresin
Farën për ta humbur
Historinë për ta shtrembëruar
Edhe këngët për t’i varrosur…

5.
Kosovë
Edhe njerëzit tu sa herë të kanë mashtruar
Sa herë të kanë tradhtuar
E ti gjithmonë për këtë ke lotuar…

6.
Kosovë
Të lutëm më trego
A e di këtë matematikë
A di ta tregosh pikë për pikë këtë ligësi
Sepse edhe mua të gjitha këto
Fjalën po ma rrënojnë
Këngën po ma përdhosin…

7.
Kosovë
A e di sa ke duruar e po duron
Ndoshta dikur do bëhesh bajrak ndër shekuj…

8.
Kosovë
Kam dëshirë gjithmonë të udhëtojmë së bashku
Sepse kështu tregojmë e flasim më shumë
Kështu dritën e diellit e vëmë në gjoks të botës
E hënë e yll në ballë të saj
Për të mahnitur me bukurinë…

9.
Ti Shqipëri, Iliridë e Çamëri
Ti Tivar e Jeni Pazar
Ti Mollë e Kuqe e ti Çakorr
Ti oj toka ime
T’i kanë vjedhë edhe grimcat e dheut
Por tapitë nuk vdesin
Ato kanë çfarë për të treguar
Sot, nesër ose dikur…

10.
Ty, oj toka ime po të pyes
A je dhembje apo krenari
Kush mund t’i shpjegojë këto barrë kaq të rënda
Ato janë legjendë
Që askush dhe kurrë drejtë nuk do t’i tregojë
As mirë as sinqerisht dhe as njerëzisht…

11.
Por ti, oj Toka që flet ilirisht
Rri ashtu legjendë e popullit tim
Se je si burimi i ujit që nuk shteron
Se je si vullkani që kurrë nuk shuhet
E flaka e djegë edhe detin
E uji e merr edhe pasurinë e mbretit
Oj e madhja Toka ime
Që të kam e të mbajë edhe në zemër edhe në shpirt…

MUZA IME TË “SHITOFTË” ZANA…!
(Përplasje me Muzën time)

1.
Mallkuar qofsh
Që m’i dhurove ëndrrat e këndimit
Që kaq shumë
Ma ndrydhe e shtrydhe shpirtin
Ti moj e pashpirt
Që këngën e vargun
Në gjuhë m’i solle

2.
Pëlcit si kokrra e kripës
Që mallin ma ngarkove
Si shpatë që pret e vret
Që lotin në zjarr ma shndërrove

3.
Ti Muzë e vargut tim
Po të them
Të plastë zemra e shpirti
Për madhështinë me të cilën më stolise
Për të kënduar kur jam i lumtur
Edhe kur dhembja bëhet bjeshkë
Edhe kur loti u ngjanë valëve të lumit

4.
Ti Muzë
Pjesë e mendjes dhe e këndimit tim
Më lejo që me këto mallkime
Fortë të të përqafoj
Se tash
Edhe më shumë të dua
Prandaj
Të gjitha mallkimet kthemi mua

5.
Ti Muza ime e pagjumë
Kështu
Fyt për fyt siç jemi që në vegjëli
Akoma së bashku
Të këndojmë e jetojmë
Si dy engjëj
Si dy fëmijë
Apo edhe si dy djaj nganjëherë
Mbase mund të bëhemi
Edhe si dy varre apo përmendore
Në tokën e përcëlluar

6.
Ti Muza ime kurrë e panënshtruar
Ti oksigjeni i vargut tim
Ti zëri i këngës sime
Ti fjalëmbla
Ti uthull molle për shërim

7.
Ti Muza ime
Sa përgëzimet m’i ke dhuruar
Me rebelimin tim
E me këmbëngulësinë tënde
Shumë ngrohtësi më ke sjell
Edhe kur shkrova për gjakun e tokën
Edhe kur shkrova për qëndresën
Për vuajtjet dhe mundimet e babait

8.
Ti Muza ime
Sa herë më ke trimëruar
Edhe kur shkruaja
Për shkrumbin e nënës
Për ikjen e dallëndysheve
Edhe për vdekjen e motrës
Edhe për ato ëndrrat
Që kurrë nuk i shijova

9.
Ti Muza ime e çmendur
Gjithmonë më rrije mbi kokë
Për të shkruar mirë
Edhe për trenin që i rëndon kujtimet

10.
Ti Muza ime
Gjithmonë më ke ngacmuar
Me plasjen e përplasjen e historisë
Më ke rënduar me tradhtinë
Edhe për monafiki
Më ke mësuar të shkruaj
Më ke inspiruar lirisë t’i këndoj

11.
Ti muza ime
Shpesh edhe së bashku kemi kënduar
Për trima dhe atdhedashurinë
Më ke urdhëruar
Të vargëzoj si dashurohet
Të flas edhe për marrinë
Por edhe për lahutën e çiftelinë

12.
Gjithçka më ke mësuar
Ti Muza ime
Që qysh në fëmijëri
Mendjen ma pushtove
Shpirtin ma rrëmbeve
Andaj sot
Si të falënderohem ndryshe
Veçse
Nëse do ikësh nga unë
Përjetësisht do vrapoj
Ty për të të zënë
E për të thënë diçka
Që nuk e di as unë
Ose
Vetëm për të të përqafuar…

13.
Ti Muza ime të “shitoftë” Zana
Por të faleminderit
Që asnjëherë nuk u hidhërove me mua
Gjithnjë me buzëqeshje më ke shikuar
E as nga përqafimi kurrë nuk më ke liruar

14.
Pra, ti Muza ime
Kjo është urata dhe dhurata
Më e madhe imja për Ty…
Të vazhdojmë rrugëtimin
Të përqafuar dhe dorë për dore
Deri deri…
Deri kur Ti vetë caktoje

15.
Ti Muza ime
Ty dhe mua na “shitoftë” Zana…

PEJA IME, PO SA TË DUA…!

Mijëra herë të kam përqafuar
Mijëra herë të kam mallkuar
Mijëra herë
Me historinë tënde jam përcëlluar
Pejë
Qyteti im i dashur
Me rrugëtim aq të ndritshëm
Me të kaluarën ende pak të shfletuar
Peja ime
Sa herë lotët për ty
Me kripë fytyrën ma kanë mbuluar
Peja ime
Po sa e madhe je
Po sa e shenjtë je
Po sa e sertë je
Po sa e urtë je…