Cilësia e ajrit në Prishtinë e dëmshme, kërkohet reduktim i lëvizjeve

24.11.2016 15:40:48

Afrim Berisha nga drejtoria për monitorim, vlerësim dhe raportim mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se moti i cili gjatë javës së fundit ka përfshirë Kosovën e sidomos pjesën qendrore të saj ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit.

“Sikurse jeni njoftuar përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës gjate këtyre ditëve në Prishtinë dhe në Kosovën qendrore  po mbanë një mot me mjegull të dendur, me lagështi të lartë të ajrit  dhe me mungesë të erës. Përveç kësaj, gjatë kësaj kohe është rritur edhe sasia e shkarkimeve të ndotësve ne ajër sikurse janë ato nga industria, transporti dhe konsumimi i lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohjet qendrore kolektive dhe ato individuale”, thotë Berisha, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, si rezultat i kësaj situate ka ardhur deri te krijimi i gjendjes së smogut qe është karakteristik për sezonin dimërore sidomos për muajt nëntor, dhjetor dhe janar.

“Në këto kushte është konstatuar se përqendrimi i disa parametrave të cilësisë së ajrit sikurse është PM10, ka qenë me i lartë, që ka ndikuar  që edhe cilësia e ajrit në Prishtinë dhe në zonën qendrore të Kosovës të jetë jo e kënaqshme. Nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit është konstatuar se gjatë periudhës monitoruese për dy javët e fundit janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10. Janë regjistruar 6 ditë (raste) me tejkalime të vlerave kufitare ditore. Ndërsa gjatë një viti lejohen 35 ditë me tejkalime të vlerave kufitare ditore”, thekson Berisha.

Sipas të dhënave nga raportimet online të shteteve të regjionit dhe atyre të Bashkimit Evropian, tejkalimet me parametrin PM 10, janë regjistruar edhe në qendra tjera të regjionit dhe Evropës sikurse në Shkup, Tiranë, Nish, Sarajevë,  Stamboll, Vjenë, Varshavë dhe në qendra të tjera.

Në një situatë të tillë rekomandohet qe kategoritë e ndjeshme e sidomos personat me probleme me organeve të frymëmarrjes të mos qëndrojnë gjatë në ambiente të tilla.

Po ashtu këshillohen të gjithë që të reduktojnë lëvizjet e panevojshme me automjete sidomos ne zonat e frekuentuara nga këmbësorët, thotë në fund ai.

Ditëve të fundit, vendi ynë është alarmuar nga rritja e nivelit të ndotjes së ajrit.