Cisterna iraniane ndryshon drejtimin, lundron drejt Turqisë

29.08.2019 15:59:10

Një cisternë e naftës me flamur iranian, e cila me javë të tëra po ndiqet nga Shtetet e Bashkuara në Detin Mesdhe, ka ndryshuar drejtimin dhe po lundron drejt Turqisë.

Adrian Darya 1, e njohur dikur si Grace 1, ishte konfiskuar në fillim të muajit korrik nga autoritetet e Gjibraltarit, me ndihmën e marinsave britanikë.

Ajo u ndalua nën dyshimin se po bënte bartjen e naftës së papërpunuar në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Evropian.

Por, më 15 gusht, Gjibraltari e liroi cisternën përkundër një kërkese amerikane për ta ndaluar transportuesin.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një urdhër për sekuestrimin e cisternës me arsyetimin se ajo kishte lidhje me trupat e Gardës Revolucionare të Iranit, të cilën Uashingtoni e ka përcaktuar si një organizatë terroriste, transmeton rel.

Pas lirimit nga ana e Gjibraltarit, cisterna ishte nisur drejt Greqisë, mirëpo autoritetet e Athinës thanë se nuk do ta ndihmojnë atë.