Çitaku reagon ndaj Haradinajt, pasi e quajti Ambasadore të Thaçit

02.03.2019 18:35:21

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë Kuvendit të tetë zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në qytetin e Deçanit ka drejtuar akuza të ashpra edhe ndaj politikanëve, e veçmas ndaj ambasadores Vlora Çitaku që po i bëjnë presion atij përmes ShBA-së.

Për këtë ka reaguar Ambasadorja Vlora Çitaku.

Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ajo është distancuar nga deklarata e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se është e pa-precedent që një Ambasadore në detyrë të kacafytet me Kryeministrin e vet.

Çitaku ka thënë se nuk është faji i saj që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme.

“Por kurrë në jetën time nuk kam dhënë këshilla dashakëqij dhe kurrë në jetë nuk kam folur jashtë mandatit tim. Asnjëherë nuk kam dërguar informacione kontradiktore apo të selektuara”, ka shkruar ndër të tjera Çitaku.

Shkrimi i plotë pa ndërhyrje

Mirëdita nga Washingtoni,

Sot në mëngjes u zgjova nën tingujt e qindra mesazheve që pandërprerë zhurmonin në telefonin tim.

Thënë të drejtën u shqetësova pak. Kur jeton jashtë vendit dhe larg familjes, mendja gjithmonë të shkon tek më e keqja.

Është tërësisht e pa-precedent që një Ambasadore në detyrë të kacafytet me Kryeministrin e vet. Sigurisht që unë nuk do të bëj asnjëherë diçka të tillë. Ne duhet të ndërtojmë kulturë të komunikimit institucional.

Sigurisht, unë nuk jam e përkryer. Nuk ka fjalë që edhe unë kam të mangësi edhe si njeri e edhe si diplomate. Por asnjëherë, kurrë në jetën time, nuk kam punuar dhe nuk punoj kundër interesave të vendit dhe kombit tim.

Tash e 20 vite jam e përfshirë ne jetën publike. Asnjëherë, kurrë nuk kam bërë asgjë për përfitim personal apo material. Sot pas 20 vitesh, unë kam pasuri një banesë 50 metra katrorë dhe 6000 euro kursime në bankë.

Nuk jam dhe nuk do të jem kurrë e shantazhuar. Mendimet e mia i them hapur dhe pa frikë nga askush.

Nuk është faji im që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme. Por kurrë në jetën time nuk kam dhënë këshilla dashakëqij dhe kurrë në jetë nuk kam folur jashtë mandatit tim. Asnjëherë nuk kam dërguar informacione kontradiktore apo të selektuara.

Jam krenare që falë angazhimit tonë të përbashkët, gjatë mandatit tim këtu në SHBA, kemi marrë mbështetjen për transformimin e FSK në ushtri. Ka qenë një punë e gjatë mbi 2 vjeçare, dhe të gjitha janë të dokumentuara.

Poashtu më vije mirë që gjatë kësaj periudhe kemi avancuar raportin me MCC dhe jemi ndër vendet e pakta të cilit jo vetëm që nuk i është ndërprerë, por i është rritur ndihma financiare nga SHBA-të.

Unë kam bërë dhe do të vazhdojë të bej gjithçka në fuqinë time që ta ruaj dhe kultivoj raportin mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Edhe këto ditë teksa po kalojmë momente jo të lehta në raportin tonë, kam punuar dhe do të vazhdojë të punojë për të shmangur çfarëdo dëmi strukturor në relacionet mes nesh.

Unë do të doja të jem aq e fuqishme sa po aludojnë disa, dhe të vendosë dhe diktojë politikat amerikane. Ju siguroj, që po të kisha atë fuqi, disa gjëra do të ishin ndryshe.

Sigurisht, diskrecioni që kërkon detyra ime, dhe edukata personale nuk më lejon t’i them të gjitha në këtë platformë.

Unë jam Ambasadore e Kosovës. Dhe Ramush Haradinaj është kryeministri im.

Të jem Ambasadorja e juaj ne Ëashington DC është nderi i jetës sime.