City & Chelsea fitojnë me goleada, United vuan por triumfon

23.09.2017 18:27:22

Manchester City nuk ndalet. Të besuarit e Pep Guardiola-s nuk kanë zhgënjyer as ndaj Crystal Palace, që vazhdon me ecurinë negative me zero gola të shënuar dhe po aq pikë të grumbulluara. City nuk e kishte shumë të lehtë në fillim të sfidës teksa ishin miqtë ata që rrezikuan portën dy herë me anë të Loftus-Cheek. Mundësia e parë e Qytetarëve ishte me Aguero-n po edhe ai u tregua i pasaktë. Goli që zhbllokoi ndeshjen erdhi në fund të pjesës së parë me magjinë e Sane. Më pas golat filluan të rridhnin vetë, me dopietën e Sterling. Me këtë fitore Manchester City mbetet në vend të parë të renditjes me pikë të barabarta me me komshinjtë e United.

Chelsea nuk ka gabuar në sfidën delikate ndaj Stoke City dhe vazhdon ngjitjen në renditjen e Premier League. Të besuarit e Conte-s ishin me fat që shënuan që në minutën e 2’ me anë të Morata-s. Ai ishte goli që i dha sigurinë dhe qetësinë për të kërkuar golin e nokautit, i cili erdhi me Pedron akoma që në pjesën e parë. më pas çdo gjë ishte më e thjeshtë teksa erdhi edhe goli i tretë i Morata-s në fund të takimit, një nga golat më të bukur të sezonit deri tani. Chelsea është ngjitur në vendin e tretë pas një starti të dobët.

Manchester United ishte ekipi që vuajti më tepër nga skuadrat e mëdha gjatë pasdites së sotme në Premier League. Skuadra e Jose Mourinho-s megjithëse gjeti golin që në fillim të takimit me anë të të përhershmit Romelu Lukaku. Southampton luftoi me të gjitha forcat për të gjetur golin e barazimit por mbrojtja e hekurt e United e përballoi me sukses edhe njëherë presionin duke ruajtur rezultatin me të cilin ruan vendin e dytë në renditje me pikë të barabarta me City por me golaverazh më të dobët.