Çka do të thotë paralajmërimi i Vuçiqit se do të shkojë në Ujman?

07.09.2018 22:07:33

Nga Rexhep Kastrati

Aleksandës Vuçiq ka paralajmëruar se do të shkojë në Ujman, madje ka thënë se nga aty do ta nisë vizitën në veri, dhe se atje do të shkojë me plane zhvillimore. Është e qartë se ky paralajmërim bie ndesh me ndalesën që i është bërë nga MPJ e Kosovës që të mos shkojë te liqeni problematik.

Në një kontekst standard, do të mund të kishte një situatë shumë të rëndë, pasi që do të kishte një angazhim të policisë së Kosovës për të mos lejuar Aleksandër Vuçiqin të shkojë në Ujman, në anën tjetër do të kishte përpjekje të vendosura të këtij të fundit për të shkuar atje.

Një situatë e tillë do të nxiste forcat paralele serbe në veri që të viheshin në krah të Vuçiqit, por këtyre do të mund t’u vinin në ndihmë edhe forca speciale serbe nga Serbia, që mund të kenë hyrë tashmë në veri dhe mund të jenë duke analizuar aspektet e fundit të një skenari për të shndërruar krejt situatën në një konflikt të armatosur.

Nuk mund të përjashtohet fare se grupe të ndryshme shqiptarësh, po ashtu të janë atje për t’u instrumentalizuar dhe për të mundësuar një konflikt ndëretnik, siç ka pasur tendenca edhe herë të tjera.

Mbtetet të shihet se a do të kenë edhe porpgandë të tillë që gjoja ndaj Vuçiqit planifikohet të bëhet atentat, si në rastin e Bosnjes, për të përligjur ndonjë situatë të nderë.

Mirëpo, meqë kjo vizitë në veri bëhet vetëm një ditë pas një teatraliteti diplomatik në Bruksel, kur u shpik si nga qielli një krizë ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë edhe skenarë të tjerë jo të dhunshëm, por të rëndë diplomatikisht për Kosovën.

Mund të ndodhë që Vuçiq të tentojë të shkojë, kurse policia jonë të mos e lejojë dhe ai të përpiqet të fitojë në aspektin e imazhit të tij si njeri i paqes dhe i dialogut dhe të tërhiqet për t’i kontribuar paqes dhe shtensionimit të gjendjes.

Duke marrë parashysh se ai në veri ka axhendë dy ditore dhe kur gazetarëve u ka sugjeruar që kur të vijë në veri të Kosovës, të bëjnë pyetjet e tyre, mund që të shfrytëzojë rastin që duke u bazuar edhe në gjoja krizën në marrëdhëniet e tij me Thaçit, ta konsiderojë të dështuar procesin negociator në Bruksel dhe të kërkojë që e ashtuquajtura marrëveshje përfundimtare të arrihet nëpërmjet një konference ndërkombëtare për Kosovën, e të cilën ditë më parë e quajtën “Dejton 2”.

Edhe Marko Gjuriq ka lënë mundësinë që Serbia të mos marrë pjesë më në negociatat në Bruksel.

Në këtë mënyrë, Vuçiq bashkë me imazhin e një lideri paqësor dhe të një Kosove që kufizon lirinë e lëvizjes dhe të kontaktit me qytetarët serbë, do të përpiqet që nga atje të legjitimojë kërkesën për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën.

Gjithsesi jemi në një kontkest scio-politik, diplomatik, gjeopolitik dhe gjeostraegjik kur Serbia ka avancuar në realizimin e ndryshimit të imazhit të saj, të depërtimit në diplomacinë ndërkombëtare, dhe ka gjetur shumë mbështetës për platforma të saj, e që lidhen qoftë me krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, qoftë me ndarjen e saj nëpërmjet formave të ndryshme dhe emërtimeve të ndryshme.

Një skenar i tretë i mundshëm është edhe që Vuçiq të tërhiqet në momentin e fundit nga vizita në Ujman dhe kjo të kuptohet si fitore e Kosovës, përkatësisht si një heroizim të hahsim Thaçit dhe të qeverisë së Kosovës në kushtet kur në Kosovë ka një unifikim gjithnjë e më të madh qytetar për të kundërshtuar pazaret me Beogradin.

Në këtë rast, do t’i jepte Thaçit mundësi që nga pozitat e një heroi të fuqizojë pozitat e tij dhe të akuzojë të tjerët se po e akuzojnë pa të drejtë, se ai, nuk bëka pazare në dëm të Kosovës dhe se gjithë fushata kundër tij është e padrejtë.

Gjasat për këta skenarë do të varen shumë nga pozicioni dhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, prëkatësisht nga niveli i implikimit të saj në zhvillimet  e nesërme dhe të pasnesërme lidhur me vizitën e Vuçiqit në veri.