Çka do të thotë të jesh radikal si presidenti Rugova?

06.05.2017 11:27:59

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, shkrimtari Musa Ramadani në një nga kozeritë, apo kolumnet e tij, presidentin Rugova e ka pas quajtur radikal në kuptimin pozitiv të fjalës. E pat quajtur kështu për shkak të qëndrimit të vendosur dhe të prerë të tij për pavarësinë e Kosovës si opcion i panegociueshëm. Dhe presidenti Rugova sa ishte gjallë, pavarësinë e Kosovës e pat si opcionin e panegociueshëm, për dallim nga gjithëtë tjerët që luanin me opcione si te “Kronikë në gur” të Kadaresë që luhej me pulla dhe shkëmbehej Franca për Luksemburgun.

Mjafton të kujtojmë Rexhep Qosjen, i cili bëri libër për strategjinë e bashkimit kombëtar, pastaj u deklarua pro pavarësisë së Kosovës me lidhje të veçanta me shtetin shqiptar e përfundoi me njohjen e të drejtës së serbëve të Kosovës, për vetëvendosje. Po ashtu, mjafton të kujtojmë Adem Demaçin, i cili doli me një plan federalist ballkanik, e veten e shihte si kryetar të saj, pra me një projekt që ishte në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve për pavarësi të shprehur në shtator-tetor 1991. Mirëpo, kur linja e Tiranës/Kretës e ftoi që të bëhej përfaqësues i përgjithshëm politik, hoqi dorë nga “Ballkania”, dhe e quajti projekt privat. Më parë, kishte kërkuar që në kundërshtim me referendumin për pavarësi të Kosovës, shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Nuk duhet lënë anash as opcionin e Rexhep Meidanit, atëherë president i shtetit shqiptar, i cili u pat angazhuar për Kosovën Republikë minus, pra pa të drejtën e vetëvendosjes dhe të pavarësisë. E në këtë lojë opcionesh ishte edhe linja e Tiranës/Kretës, e cila herë thoshte se angazhohej për bashkim kombëtar, herë për pavarësi, herë për republikë të tretë në kuadër të të ashtuquajturës RFJ, pra Serbi dhe Mali i Zi.

Konsistenca e presidentit Rugova në projektin e tij kombëtar, e që ishte projekti për liri, pavarësi, demokraci, ishte shpërfaqje e intelektualizmit politik, e përfaqësimit të një projekti që ishte në përputhje me atë që vërtet ishte pikëpamje e tij, që ishte ndërtuar mbi bazën e një qasjeje kritiko-racionale, shkencore, politike, gjeopolitike, gjeostrategjike dhe që lidhej me thelbin etno-psikologjik, socio-historik, kulturor dhe gjuhësor të kombit shqiptar. Pra, konsistenca e presidentit Rugova në projektin liri, pavarësi, demokraci nuk ishte konsistencë në kuptimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe një qasjeje konjukturale, por ishte një konsistencë në një projekt të studiuar dhe të analizuar në mënyrë të shumanshme, shumëdimensionale nga të cilat kanë dalë edhe konkluzione që i ka konfirmuar koha dhe që janë shumë aktuale edhe tash.

E nëse merret në kuptimin semantik të fjalës, ashtu siç e ka shpjeguar edhe shkrimtari Musa Ramadani para më shumë se dy dekada më parë, pra në kuptimin që shprehja latine “radical” ka si “rrënjësor”, presidenti Rugova ka qenë radikal, sepse projekti i tij e ka trajtuar çështjen e lirisë, pavarësisë e demokracisë në mënyrë rrënjësore, thelbësore dhe të plotë. Për shkak të kësaj, projekti liri, pavarësi, demokraci është sulmuar në të gjitha anët nga qarqe kundërshqiptare dhe nga rekrutët e tyre shqiptarë që e kanë nxjerrë kokën sikurse kërmilli dhe duan të përmbyllin atë që kanë nisur gati 20 vjet më parë: realizimin e interesave kundërshqiptare në Kosovë dhe në rajonin tonë, por edhe është projekti që është konfirmuar si projekti i vetëm i vërtetë dhe i plotë që u ka dhënë dhe u jep përgjigje dhe ofron zgjidhje për të gjitha situatat e mundshme, pra edhe për ato që kanë dalë gjatë viteve, e që tashmë duken më qartë se më parë.