Çka duhet të ketë parasysh LDK në aspektin e zgjedhjeve dhe në kontekstin e përgjithshëm socio-politik në vend?

12.04.2018 10:09:32

Nga Rexhep Kastrati

Zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në qershor të vitit të kaluar, prodhuan një rezultat që nxori thuajse të barabarta tri blloqe politike: PAN që është koalicion i PDK-së, AAK-së dhe Nismës, LAA, që ishte koalicion i LDK-së, AKR-së dhe Alternativës, dhe VV-në që tashmë është ndarë në dy grupe kuvendore.

Në fakt, ky trinom është vetëm shpërfaqje e një forme të re me faktorë të vjetër të trinomit: LDK, PDK, AAK, e që kjo formë e re është rezultat i zhvillimeve reale dhe të stisura brenda dy linjave kryesore kundër LDK: linjës së Tiranës/Kretës dhe linjës udbasho-jugosllavokomuniste që kanë dalë në skenë për të rrënuar procesin liri, pavarësi, demokraci të udhëhequr nga LDK dhe presidenti Rugova, dhe për të realizuar interesa kundërshqiptare në Kosovë.

Koalicioni PAN që u krijua nga frika se mos koalicioni LAA do të arrinte të formonte Qeverinë, është dëshmi e qartë se megjithë kundërthëniet që kanë, megjithatë, kur bëhet fjalë për LDK-në, ata janë bashkë dhe tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe problemet ndërmjet vete. VV, e cila pat rritje falë retorikës populiste dhe mashtrimit me çështjen e demarkacionit dhe të Asociacionit, po ashtu, dëshmoi se kur bëhet fjalë për LDK-në, bëhet kushtëzuese dhe pse jo edhe shantazhuese.

Zhvillimet e mëvonshme dëshmuan se VV vazhdon të jetë, ashtu siç ka qenë tradicionalisht agresive verbale ndaj PDK-së, por vazale dhe e oportuniste në praktikë. Qëndrimi i VV-së ndaj Qeverisë “Mustafa”, dhe qëndrimi ndaj Qeverisë aktuale, është diametralisht i kundërt, e që është e vërejtshme nga të gjithë. Kjo tregon se VV, vetëm në dukje lë përjshtypjen se është kundër PDK-së, por në praktikë vazhdon të jetë një vegël në duart e saj. Fakti se VV ka frikë të ngrejë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë aktuale, e cila është në pakicë, kurse ishte shumë agresive dhe e papërtueshme për të ngritur mocion mosbesimi ndaj Qeverisë “Mustafa”, edhe pse nomanialisht kishte gati 90 kuvendarë, tregon se nuk ka qenë kundër PDK-së, por ka qenë kundër drejtimit të Qeverisë nga ana e LDK-së.

Pra, gjendja e gjertanishme ka bërë të qartë se dy blloqet: PAN dhe VV shpërfaqin kundërshti të aspektit formal, por një ndërthurje në aspektin praktik dhe vazhdojnë të jenë të qarta kundër LDK-së, e cila pas çarjes së VV-së, ka grupin më të madh kuvendor në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, është për të vënë re edhe ndryshimin drastik të sjelljes dhe të qëndirmeve të veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, e cila vazhdon të jetë në të njëjtën linjë me të PAN-it dhe të VV-së, pasi që dje, kur Qeverinë e drejtonte LDK, shpërfaqnin të njëjtën axhendë me të partive të tjera, e edhe sot, vazhdojnë të shpërfaqin axhenda të partive të tjera, në kuptimin se nëse dje ishte axhenda e partive të tjera rrëzimi i Qeverisë “Mustafa”, edhe axhenda e këtyre veglave ishte po ajo, e kurse sot, kur ka një Qeveri të pakicës kuvendore, çështja e msobesimit ka futur në telashe edhe këto vegla. Edhe në çështjen e demarkacionit pat një unitet për lakmi të grupit kuvendor të LDK-së, pra edhe të atyre që dje e kishin prishur dhe e kishin penguar atë unitet, edhe pse në krye të Qeverisë ishte kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Dhe ky mosunitet ishte faktori thelbësor që lehtësoi edhe rrëzimin e asaj Qeverie.

Pra, ajo që duhet të kihet parasysh sa herë që bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme, ka të bëjë me faktin se në çfarëdo rezultati që do të arrijë LDK, do të ballafaqohet me çështjen e ndërtimit të koalicioneve, që do të ketë për qëllim të pengojë ndërtimin e një koalicioni që do ta bënte atë drejtuese të Qeverisë, pasi që koha ka treguar se një situatë e tillë do të shërbejë për bashkimin e të tjerëve për destabilizimin e vendit.

Një element tjetër që duhet të kihet parasysh ka të bëjë me faktin se uniteti i brendshëm në LDK është i cenueshëm, ashtu siç ishte dje i cenueshëm, përderisa ky unitet nuk ndërtohet mbi bazën e respektimit të bazës idologjike, identitetit të saj historik, mbi bazën e vlerësimit të angazhimeve dhe kontributit real në parti, por do të përpiqet të ndërtohet mbi bazën e luftës së klaneve, përkatësisht mbi pazare klanesh, e të cilët qëllim tjetër nuk kanë veç të pozicionimit sa më të mirë në parti, në pushtet dhe të përfitimit personal apo klanor, mbi bazën e imponimit të individëve, përkatësisht mbi bazën e produkteve medietike të korpusit medietik kundër LDK, por që realisht nuk kanë asnjë vlerë dëmethënëse, nuk kanë asnjë përputhje ideologjike me LDK-në.

Dhe ajo që duhet të kihet parasysh në mënyrë të veçantë, çka pas zgjedhjeve eventuale që do të mund të mbaheshin dhe me gjasë do të mbahen gjatë këtij viti?