Çka fshihet mbrapa ironizimit të Bilallit të Nismës me rrezikun nga sulmet terroriste?

16.04.2017 20:50:55

Nga Rexhep Kastrati

Bilalli, jo Bilalli që e ka thirr ezanin në kohë të profetit Muhamed, por Bilalli i Nismës, paska ironizuar me alarmin për sulme të mundshme terroriste dhe me rritjen e shkallës së mobilizimit të forcave policore! Në një postim në facebook, ai ka thënë se policia ka ruajtur fantazmat e Skënder Hysenit! De këtë ironizim, Bilalli e ka bërë përkundër faktit se edhe Ambsada e SHBA-ve ka paralajmëruar për mundësi sulmesh terroriste, dhe edhe pse ishte mbajtur një mbledhje e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e që kalon të gjitha nivelet politike e diplomatike të një ministrie. Dhe kur Ambasada e SHBA-ve tërheq vërejten për mundësi sulmi terrorist, ajo bazohet në informacionet që ka ajo,  e jo vetëm ato që japin institucionet e shtetit përkatës. Kështu ka ndodhur në disa shtete, përfshirë edhe shtetin shqiptar, ku Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar shtetasit e saj jo thjesht për sulme terrosite, por edhe për rreziqe të natyrës më të parëndësishme.

Edhe institucionet e shteteve të ndryshme kur vendosin për gatishmëri më të lartë dhe për rritje të nivelit të mobilizimit bazohen në informacione të shumë institucioneve dhe të agjensive të ndryshme që nga policia e deri te shërbimi sekret. Po ashtu, bazohet edhe në paralajmërime të shërbimeve të ndryshme sekrete. Pra, është një zinxhir institucionesh, agjensish dhe agjenturash edhe të shteteve të tjera që konfirmojnë mundësinë për rreziqe të ndryshme, sidomos të natyrës terroriste. Vallë të gjithë këto të kenë fantazma? Natyrisht se është jo vetëm ironike, cinike dhe idiotike të thuhet kjo, por është edhe dashakeqe, tendencioze dhe deri në dëshirë për të pasur aksione të tilla nga ai apo nga ata që thuhen.

Përveç këtyre, pse vallë në një rast rreziku nga sulmet terroriste në vendin e tyre, përfaqësues të opozitës nuk solidariozhen me shtetin dhe nuk shprehin mbështetjen ndaj policisë dhe institucioneve të sigurisë, por tallen, ironizojnë dhe shprehen me cinizëm, sikur t’u vinte keq pse ishte rritur niveli i mobilizimit të policisë për të rritur sigurinë në vend? A mos është e përfshirë edhe ajo, dhe të tjerë në sulme të tilla eventuale? Dhe kjo bëhet më e qartë po të kihet parasysh fakti se “Syri i Popullit” kishte realizuar një sulm terrorist ndaj Azem Vllasit dhe kishte paralajmëruar sulme të tjera ndaj personaliteteve të larta shtetërore të Kosovës. Në anën tjetër, vetëm pak ditë më parë ishte luajtur një lojë ping pongu politiko-propagandistik ndërmjet Daut Haradinajt dhe Aleksandër Vuçiqit  me krisma pushkësh dhe me lufta. Dhe është interesant se “Syri i Popullit” ka lavdëruar vetëm Albin Kurtin dhe Ramush Haradinajn, gjë që përputhet edhe me qasjen e ngjashme apo të njëjtë që pat shpërfaqur edhe Murat Jashari – atentatori ndaj Azem Vllasit, por është në frymën e retorikës luftënxitëse të Daut Haradinajt. Të kujtojmë se Nisma është në një koalicion opozitar me AAK-në.

Krejt në fund: a mos vallë fantazmat e terrorizmit po sillen rreth gjithë atyre që janë të anagzhuar fort për rrëzimin e Qeverisë, për destabilizimin e vendit dhe për shndërrimin e tij në Siri, apo nuk bëhet fjalë fare për fantazma, por për persona apo grupe të organizuara për realizim sulmesh terroriste?