Çka fshihet mbrapa kërcënimeve të Serbisë ndaj Francës dhe shteteve të tjera të botës?

13.01.2017 14:29:43

Nga Rexhep Kastrati

Pas lirimit me kusht të Ramush Haradinajt, Daçiq kishte thënë se për këtë do të flasim nesër, pra sot. Dhe vetëm pak më vonë ishte njoftuar se Qeveria e Serbisë do të mbante mbledhje të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Dhe sot, pas kësaj mbledhjeje, Serbia kërcënoi Francën dhe shtetet e tjera se do të vepronin njëjtë me kërkesat e atyre shteteve lidhur me ekstradimin e personave të kërkuar nga INTERPOL-i. A bëhet fjalë vetëm për një shprehje nervoze lidhur me vendimin për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt? A bëhet fjalë për vendosje reciprociteti me shtetet tjera? Apo fshihet diçka më tepër se kaq? Serbia mund të jetë nervozuar lidhur me lirimin me kusht të Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, pasi që Fraca mbahet një nga aleatet e Serbisë, por edhe një shtet që ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe përveçse është një nga pesë anëtaret e përhershme të KS të OKB-së, është edhe një nga pesë shtetet që përbëjnë pesëshen që kanë udhëhequr edhe Grupin e Kontaktit për Kosovën dhe procesin e pavarësimit të Kosovës, kurse tash është një nga pesë shtetet që vazhdojnë të monitorojnë procesin e shtetndërtimit të Kosovës e që njihet si QIUNT. Pra, Franca është në një pozitë të dyzuar ndërmjet aleancës së hershme me Serbinë dhe rolit të saj në shtetformimin e Kosovës. Për shkak të reagimeve të mëdha edhe nga shqiptarët e Kosovës, edhe nga Serbia, autoritetet franceze, çështjen e Ramush Haradinajt e lanë në duart të auoritetetve gjyqësore të Francës, duke refuzuar ndërhyrjen në këtë rast. Në këtë mënyrë, Franca kishte shpallur njëlloj neutraliteti përballë të dy palëve: Serbisë dhe Kosovës, duke e lënë përgjegjësinë për vendimin autoriteteve gjyqësore në bazë të parimit të mosndrëhyrjes në pavarësinë e tyre. A e ka bërë nervoz Serbinë ky lloj qëmdrimi i Francës me të cilin Serbia të ketë humbur pozitën preferenciale që kishte më parë, apo dështimi eventual i strategjisë që nëpërmjet arrestimit. eventualisht edhe të ekstradimit të Ramushit në Serbi të acaronte gjendjen në Kosovë, përkatësisht të provokonte aksione terroriste nga grupe shqipfolësisht të përgatitur vetë? Me gjasë bëhet fjalë për të dyjat, pasi që një rragim të tillë, Serbia nuk e ka pasur ndaj shteteve të tjera te të cilat nuk ka pasur pozitë preferenciale, por edhe vetë ka paralajmëruar për sulme të shqiptarëve ndaj përfaqësive të saj nëpër botë. Natyrsisht, vendimi i autoriteve gjyqësore franceze për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt nuk është argument i mjaftueshëm se Franca ia ka hequr Serbisë pozitën preferenciale, pasi që një vendim i tillë mund të jetë marrë nën trysninë ndërkombëtare, sepse në të kundërtën Ramush Haradinaj as që do të arrestohej, siç ka ndodhur edhe herë të tjera. Po ashtu, edhe mundësia që të ketë lojëra të ndyra në prapaskenë lidhur me këtë arrestim, duke mos përjashtuar kurrë as rolin e vetë Ramushit, është e papërjashtueshme dhe në histori të ndryshme është vërtetuar si e vërtetë. Në këtë kuptim, kërcënimi i Serbisë ndaj Francës dhe shteteve të tjera, përveç këtyre, duhet parë edhe si një vazhdim i lojës dhe i taktizimeve të Serbisë në stilin e Rusisë për të vënë në zbatim taktikën e ruletit rus. Kjo për faktin se në parim dhe në natyrë, kërcënimi i Serbisë ndaj Francës dhe ndaj shteteve të tjera të botës, është i njëjtë me kërcënimet Milosheviqit që u bënte shteteve të ndryshme lidhur me Kosovën. Në këtë kuptim, a i leverdis Serbisë që të konfrontohet edhe një herë me botën për çështje, për të cilat në fund të fundit, jurisdiksioni i ka kaluar Gjykatës speciale? Natyrisht se jo, dhe këtë e ka provuar njëherë Serbia dhe pasojat që ka pasur. Edhe për vetë Serbinë, në parim do të ishte një vendim dhe veprim i dëmshëm, sepse atëherë do të shfrytëzohej nga të gjithë njerëzit e inkriminuar për të gjetur strehim në këtë shtet, duke e bërë këtë vend të mbipopulluar nga njerëz të inkriminuar. Pra, përveçse do ta konfrontonte me gjithë botën, një veprim i tillë do ta kthente Serbinë në një shtet  strehë për kriminelët e gjithë botës që do të rrisnin shkallën e kriminalitetit në këtë shtet. A do të donte Serbia diçka të tillë? Edhe pse për shtete normale, përgjigjia në këtë pyetje do të ishte negative, duke parrë parasysh Rusinë, atëherë nuk do të përjashtohej një mundësi e tillë, sidomos nëse ata do të ishin nën mbikëqyrjen e shtetit. Dhe me gjasë, Serbia po synon edhe këtë: në emër të reciprocitetit me shtetet e tjera, të mos dorëzojë kriminelët, mafiozët dhe strukturat tjera mafiozo-politike që kanë pasur rol të madh në luftërat në ish-Jugosllavi, pra edhe në Kosovë. Dhe duhet të thuhet se falë këtyre, Serbia ka arritur të kontrollojë edhe luftërat në fjalë, pra edhe në Kosovë, pasi që shumë emra që gjendjen në listën e INTERPOL-it, e që janë kuptola të krimit ballkanik dhe më gjerë, kanë lidhje të forta me struktura mafiozo-politike në Kosovë dhe në shtete të tjera në rajon. Dhe Serbia është e angazhuar fort për ripërdorimin e strukturave të tilla mafiozo-politike në fazën e fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë:ndryshimin e kufijve në rajon, duke filluar nga Kosova.