Çka pret kryeministri Mustafa nga debati i 3 gushtit për demarkacionin?

31.07.2016 09:50:03

Kryeministri Mustafa vazhdon të shfaqë qëndrimet e tij lidhur me çështjen e demarkacionit, si një nga çështjet për të cilën kanë ndodhur zhvillimet anarkiste të vitit të kaluar dhe të muajve të parë të këtij viti. Në postimin e sotëm në facebook, kryeminstri Mustafa ka bërë publike pritjet e tij nga debati që do të zhvillohet me 3 gusht, ndër të cilat pritje, sipas tij, është edhe që ata që e kanë politizuar dhe e kanë keqpërdorur këtë çështje, t’i dëshmojnë pretendimet e tyre. Sipas kryeminstrit Mustafa, ndërkaq, me këtë rast nuk mund të bëhet korigjimi i padrejtësive historike, por mund dhe duhet të bëhet demarkimi i vijës kufitare në bazë të Pakos së Ahtisarit, e cila demarkimin e përcakton në bazë të kushtetutës së  së vitit 1974. Mbi këtë bazë ëdhe është realizuar Marrëveshja për demarkacionin. Kryeminstri Mustafa, po ashtu, ka përsëritur për të satën herë se nëse dëshmohet se Kosova humb territor, atëherë do të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë bërë, e nëse dëshmohet se nuk ka humbur terrirotr, atëherë përgjegjësi do të mbajnë ata që po manipulojnë opinionin me këtë çështje. Krejt në fund, kryeministri Mustafa shprehet qartë se “qytetarët nuk mund ta paguajnë çmimin e izolimit për shkak të agjendave politike të opozitës dhe politikave populliste të disa individëve.”. Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë:

“Çfarë pres nga debati i 3 gushtit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi?

Pres të epet përgjigja se cilët 12,000 apo 8,200 hektarë i humbi Kosova në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Opozita dhe ekspertët e saj që krijuan këtë kauzë, për kuptimin tim të pavërtetë dhe të paqëndrueshme, e kanë shansin të faktojnë se cila komunë, cili vendbanim, cili fshat, cila zonë kadastrale është zvogëluar në krahasim me atë që ka qenë para nënshkrimit të Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi.
Trajtimet teorike të të drejtës ndërkombëtare nuk na ndihmojnë shumë, nëse nuk jepet përgjigja konkrete në kauzën se i është falur territor Malit të Zi, respektivisht se Kosova ka humbur 8,200 apo 12 mijë hektarë në këtë proces. A janë këta hektarët që ne i kemi administruar në periudhën e viteve 1974 (përkatësisht më 31 dhjetor të vitit 1988) apo është fjala për tokë të askujt “terra nullius” të cilën kemi pasur shans ta fitojmë por jemi treguar të ngathët?!. Apo as njëra dhe as tjetra!
Pavarësinë e kemi shpallur mbi bazën e Pakos së Ahtisarit me obligim se do ta zbatojmë Aneksin 8 të kësaj pakoje gjatë përcaktimit të kufijve të vendit tonë. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e vitit 2015, e iniciuar nga AAK kërkon që shënimi i vijës kufitare të bëhet në harmoni me Kushtetutën e vitit 1974. Kjo Kushtetutë në nenin 3 thotë se territorin e KSA e përbëjnë territoret e komunave të tanishme. Janë evidencat e sakta për territorin e asaj kohe për çdo komunë dhe për çdo zonë kadastrale.
Në këtë proces, as Kosova sikurse dhe as vendet e tjera, nuk mund të rregullojnë padrejtësitë historike.
Në qoftë se vërtetohet se Kosova i ka humbur hektarët, për të cilët trumbetohet, atëherë për këtë do ta bartin përgjegjësinë ata që e kanë bërë, nëse nuk ofrohen fakte, përgjegjësia mbetet te ata që deshën ta kallin Kosovën për këtë kauzë.
E vërteta është në shesh, prandaj besoj shumë se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi do të votohet nga të gjithë deputetët dhe do të krijohen kushtet që të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë nga liberalizimi i vizave si dhe të çohen përpara proceset e tjera me rëndësi jetike për vendin tonë.
Qytetarët nuk mund ta paguajnë çmimin e izolimit për shkak të agjendave politike të opozitës dhe politikave populliste të disa individëve.”