Clinton: Lavdata e Trump për Presidentin Putin, fyese dhe e frikshme

08.09.2016 23:13:59

Pas deklaratës së bërë nga kandidati republikan për President i SHBA , Donald Trump, duke thënë se Putin është lider më i mirë se Presidenti amerikan, Barack Obama, ka reaguar ashpër  Hillary Clinton.

Kjo e fundit ka “shpërthyer” në reagimin e saj, duke thënë se kjo deklaratë e tij është jo vetëm jopatriotike dhe fyese për popullin e vendit, por gjithashtu e ka cilësuar atë si të frikshme.

“Kjo nuk është vetëm jopatriotike dhe fyese për popullin e vendit tonë, si dhe komandantit tonë të përgjithshëm. Ajo është e frikshme”, ka thënë Clinton në një konferencë për shtyp.

Kanditdatja demokrate për presidente, shtoi gjithashtu se kjo deklarata e Trump nënkupton se ai do ta lërë Putin të bëjë çfarë ai dëshiron të bëjë.Donald Trump në lëvdatat e tij për Presidentin rus, Vladimir Putin e cilësoi atë më shumë lider se Presidentin Obama.

“Putin është shumë lider. Putin ka kontroll të fortë mbi shtetin e tij. Është një sistem ndryshe dhe mua nuk më pëlqen një sistem i tillë. Por sigurisht, në atë sistem, ai është lider, më shumë lider se sa është presidenti ynë”, ka thënë Trump, gjatë një forumi presidencial në televizionin NBC.

I pyetur se, nëse ai do të përmirësonte marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Rusisë, Trump ka thënë se: “Unë do të kem një marrëdhënie shumë të mirë me Putin dhe mendoj se do të kemi një marrëdhënie shumë shumë të mirë me Rusinë”.