Clinton sulmon mbështetësit e Trump: Janë të mjerë

10.09.2016 13:16:43

Sa vjen e bëhet më e ashpër fushata elektorale për garën në Shtëpinë e Bardhë. Hillary Clinton i ka cilësuar “gjysmën e mbështetësve të Donald Trump-it si një shpurë të mjerueshme”. Duke ndërhyrë në një takim me përfaqësues të komunitetit LGBT në Nju Jork, ajo i ka përshkruar një pjesë të mbështetësve të republikanit si “racistë, seksistë, ksenofobë dhe islamofobë”.

Por shefi i fushatës së miliarderit republikan, ka reaguar me një deklaratë: “Ka fyer miliona amerikanë”, – tha  Kellyanne Conway.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së fondeve për Clinton, Barbara Streisand, ka kënduar një parodi të këngës së Stephen Sondheim “Send in the Clowns” me një tekst që ka shënjestruar kandidatin republikan të Shtëpisë së Bardhë.

“Është kaq i pasur, por ndoshta është i varfër, deri sa nuk deklaron burimin e të ardhurave të tij, si mund të dimë?”, – ka kënduar Streisand, duke kritikuar refuzimin e manjatit për të publikuar të ardhurat e tij.