‘Çmenduria’ e Serbisë, nuk deshën të luanin me Zvicrën për shkak të këpucëve të Shaqirit

23.06.2018 16:20:58
Serbia me kërkesë qesharake në FIFA, deri në minutat e fundit para fillimit të ndeshjes me Zvicrën.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS), Jovan Surbatoviç ka bërë të ditur se kërcënuan FIFA-në se nuk do të paraqiteshin në fushë kundër Zvicrës, nëse Xherdan Shaqiri nuk i ndërron këpucët e tij sportive.

Ylli kosovar në njërën këpucë mban flamurin e Kosovës kurse në tjetrën atë të Zvicrës. FSS kërkoi nga FIFA që ta detyrojë Shaqirin t’i ndryshojë ato. Por, kërkesa e tyre u injorua nga FIFA.

“Ajo që ka na hidhëruar është se kërkuam që futbollisti i tyre, më konkretisht Shaqiri, bart flamurin e të ashtuquajturit shtet i Kosovës. Ne kemi reaguar, madje kemi kërcënuar se nuk do të paraqitemi fare në fushë nëse ai nuk i ndërron këpucët”, deklaroi Surbatoviç për “B92”.

Megjithatë, FIFA injoroi kërkesën nga FSS.

“Nuk kishte reagim, pastaj kemi insistuar sërish, kemi dërguar disa e-maila, kishim kontakt direkt me zyrtarë nga zyret e FIFA-së, por në fund, para ndeshjes, morëm njoftimin se me rregulla të FIFA-së, lejohet që flamuri i Kosovës të mbetet në këpucët e tij sepse bëhet fjalë për një shtet të pranuar me të drejta të plota nga FIFA, dhe se futbollistët mund të shprehin prejardhjen e tyre kombëtare”, theksoi ai.