Çmimet Bleta e Artë, Rama: Qeveria, 1 mld euro investime në 3 vitet e ardhshme

28.12.2016 21:08:25

Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha sot, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të përvitshme ‘Bleta e Artë’, se plani i qeverisë për investimet e 3 viteve të ardhshme, do të arrijë në rreth 1 miliard euro.

“Ne kemi një plan investimesh prej 1 miliard euro në 3 vitet e ardhshme. Këto investime mund të nxisin rritjen ekonomike në mbi 6 për qind. Ky program agresiv investimesh do të shpallet në ditët e para të janarit”, tha Rama.

kryeministri përsëriti se rritja prej 100 milionë dollarë e rrogave dhe pensioneve nuk ndikon në rritjen e borxhit publik.

Më tej, ai vlerësoi ndërhyrjen e ekzekutivit në sektorin e turizmit, i cili ka hyrë tashmë në rrugën e duhur.

“Ky vit na ka dhënë një mesazh kuptimplotë për potencialin turistik të Shqipërisë. Turizmin kemi filluar ta fusim në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Rama.